Mos i shkatërroni futbollistët, jeni duke i bërë pishman që e pranuan Kosovën

Zhgënjimet nuk kanë fund për Kosovën në futboll.

Ishte maji i vitit 2016, kur të gjithë iu gëzuam lajmit të dhënë nga Budapesti i Hungarisë që Kosova u pranua me drejta të plota në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian UEFA.

Nuk kishte njeri në Kosovë që nuk shpresonte për ditë më të mira për futbollin tonë, madje edhe politikanët shfrytëzuan rastin, si gjithmonë, duke bërë premtime të kota kinse do të ndërtonin stadiume moderne për t’ua krijuar kushtet më të mira futbollistëve kosovarë.

Kanë kaluar 405 ditë nga 3 maji i vitit 2016 dhe Përfaqësuesja jonë vazhdon të endet andej e këndej për t’u stërvitur dhe për t’i zhvilluar ndeshjet si vendase.

Nuk u ndërtua asnjë stadium siç u premtua, por as nuk u rinovuan ‘Adem Jashari’ dhe stadiumi i kryeqyteti – edhe pse punimet kanë filluar dhe janë duke ecur me hapa të breshkës.

Kjo po ndikon edhe tek tifozët, ku në ndeshjen e fundit nuk ishin më shumë se 5,000 të pranishëm në stadium, ndërsa thuajse gjysma ishin mysafirë nga Turqia.

Tek tifozët nuk po ndikojnë vetëm rezultatet e dobëta për ta zbehur entuziazmin e tyre, por edhe çmimi i lartë i biletave dhe rrugëtimi i gjatë që po bëjnë nga Kosova për në Shkodër.

Kulmi i amatorizmit tek Federata e Futbollit të Kosovës dhe Përfaqësuesja ishte në ndeshjen e fundit ndaj Turqisë.

Përderisa shumica e futbollistëve kanë kryer kampionatet në fund të muajit maj, grumbullimi i Kosovës ka ndodhur me 5 qershor në ora 17:00.

Pse nuk duhet të merret shembull Zvicra, Gjermania, Anglia apo Shqipëria që grumbullojnë ata futbollistë që përfundojnë kampionatet dhe të tjerët që kanë ndeshje për të zhvilluar grumbullohen më vonë?

FFK vazhdon të kursejë mjete dhe nuk lejohet një grumbullim më i gjatë që do t’i shërbente futbollistëve të stërvitën më shumë së bashku dhe të kenë edhe paraqitje më të mira në fushë.

Se niveli i infrastrukturës vazhdon të jetë nën zero në Kosovë, kjo u dëshmua në grumbullimin e fundit ku lojtarët pësuan lëndime.

Njëherë u stërvitë në Kastriot në stadiumin e KEK-ut, ndërsa pas dy ditëve aty Kosova vazhdoi stërvitjet në Mitrovicë.

Thuajse të gjithë futbollistët u ankuan për fushat, por edhe për rrugën e gjatë me autobusë tejet ‘komod’.

Kulmi u arrit ditën e premte, kur u larguan nga Hotel Emerald dhe morën rrugë drejt Mitrovicës për t’u stërvitur, ndërsa pa pushuar fare nga stërvitja u nisën për në Shkodër ku mbërritën në orën 20:00.

Ky udhëtim ishte një shkatërrim për lojtarët të cilët e dëshmuan se ishin të lodhur dhe të rraskapitur edhe në fushë.

Shumica nga lojtarët e grumbulluar janë mësuar me kushte tejet të mira në Evropë, ndërsa tani po përballen me një realitet krejtësisht tjetër.

Bisedat që kam pasur me shumicën nga lojtarët e kam kuptuar se ata janë të dëshpëruar me kushtet e tmerrshme të afruara nga FFK në vendlindjen e tyre.

Disa nga ta po mendojnë seriozisht mos të pranojnë më grumbullimin derisa maltretohen në këtë mënyrë dhe rrezikojnë karrierën e tyre nga ndonjë lëndim i mundshëm.

Sa i përket humbjes 1-4 nga Turqia nuk dua të komentoj shumë, pasi aty më mirë e di trajneri për lojtarët që vendosë në fushë, por përderisa lë në bankë lojtarë si Herolind Shala, Milot Rashica, Bernard Berisha e Besart Berisha suksesi u pa në fund dhe përgjegjësia shkon vetëm tek ai që vendos në formacion.

Premtimi se në shtator do të luajmë ndaj Finlandës në Kosovë është në rritje e sipër, por shpresojmë që edhe kësaj radhe mos të jenë vetëm premtime boshe.

Hapni sytë, mos i dëshpëroni yjet tanë, mos i bëni pishman që kanë pranuar të luajnë për Kosovën.

Temat
SportVend

Të afërta