Ambasada amerikane: Votuesit e thanë fjalën e tyre, duhet filluar formimi i qeverisë së re

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një deklarate për media ka përgëzuar popullin e Kosovës për zgjedhjet demokratike të mbajtura dje.

“Me interesim të lartë presim raportimet e misionit zyrtarë vëzhgues. Përderisa jemi të shqetësuar nga disa raportime për prezencën e listave të vjetra të votuesve, votimeve të dyfishta dhe parregullsive tjera sporadike, përgëzojmë Komisionin Qendror Zgjedhor, Komisionarët nëpër vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet tjera monitoruese dhe vëzhguese për punën e tyre të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, zotohemi për mbështetjen tonë të vazhdueshme gjatë tërë kohës sa zgjat procesi i certifikimit të votave dhe të gjitha raportimet mbi parregullsi të jenë hetuar hollësisht dhe zgjidhur në përputhje me ligjet e Kosovës”, thuhet në deklaratën e ambsadës Amerikane.

Më tej SHBA-të përmes kësaj deklarate kanë theksuar se votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar.

“Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, thuhet në fund të deklaratës së ambasadës amerikane. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta