Greqia akuzon kreditorët për vonesën e këstit të ndihmës

Ministri grek i Financave, Euklid Tsakalotos akuzoi Gjermaninë dhe kreditorët e tjerë për mosmarrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) që mund të shkaktojë vonesën e këstit të ardhshëm të ndihmës së Athinës, njoftoi sot gazeta e përditshme greke, ”Kathimerini”.

”Duke folur në një konferencë në Frankfurt, Tsakalotos vuri në dukje se kreditorët e mbështetën FMN-në kur kërkonte reforma por e mënjanuan atë kur ajo bëri thirrje për të ruajtur qëndrueshmërinë e ripagimit të borxhit në Greqi”, raportoi gazeta.

Tsakalotos iu referua dallimeve ndërmjet kreditorëve, duke përfshirë Gjermaninë dhe FMN-në, e cila dëshiron të lehtësojë menjëherë barrën e shlyerjes së borxheve për Greqinë në një nivel të qëndrueshëm. Gjermania nuk është e gatshme t’i japë Athinës më shumë liri veprimi të paktën deri në vitin e ardhshëm.

Kreditorët do të takohen më 15 qershor për të vendosur nëse do të japin fonde për Greqinë duke e shpëtuar atë për herë të tretë që nga kriza financiare e vitit 2010. Vendi duhet të paguajë 6 miliardë euro (6.7 miliardë dollarë) të borxheve të saj në korrik, përcjell Atsh.

Tsakalotos theksoi se vendi i tij nuk po kërkon një zbatim të menjëhershëm të lehtësimit por kërkon një sinjal të qartë nga takimi i Eurogrupit në mënyrë që të rifitojë besimin e tregjeve financiare.

Temat
LajmeRajon

Të afërta