Kthimi i Aleksandar Jabllanoviqit në krye të Listës Serbe ka tronditur dhe ka habitur shumicën e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.
Pa konsultim dhe marrëveshje me pjesën tjetër të Listës Serbe, Jabllanoviq, një ish-sekretar shtetëror në Ministrinë serbe të Punës, ka nënshkruar se do të bëhet kryetar i kësaj partie, post i mbajtur deri tash nga Slavko Simiq.
“Ky ishte plotësisht një vendim i njëanshëm i Jabllanoviqit dhe se ajo çka është më e keqja është se ne e kemi kuptuar këtë nga mediat”, thonë disa burime të gazetës serbe ‘Blic’ nga Lista Serbe, përcjell Gazetametro.net.
Anëtarët e grupeve politike në Kosovë, të cilët janë pjesë e Kuvendit të Kosovës janë frikësuar se Jabllanoviq këtë lëvizje e ka bërë papritur dhe se ka bërë një marrëveshje me autoritetet e Prishtinës.
Përndryshe, Jabllanoviq ishte kreu i Listës Serbe deri në tetor 2015, kur ai u shkarkua, pas protestave të shumta që u mbajt kundër tij në Kosovë.
