Teqeja e Madhe Autoqefale Ballkanike, përmes një njoftimi për media, e uron 21 marsin, Ditën e Sulltan Nevruzit – Ditëlindjen e Hz. Imam Aliut a.s., ditë kjo, sipas tyre e njohur edhe si Dita e Pranverës, e cila thonë se nënkupton ringjalljen e botës dhe të jetës në Tokë.
Ndër tjerash, duke e vlerësuar këtë si një ditë të rëndësishme, kërkojnë edhe lirimin e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili aktualisht gjendet në Francë. Teqeja e Madhe Autoqefale Ballkanike thotë se e përkrah edhe nismën e Presidenit Thaçi për formimin e ushtrisë.
Ky është njoftimi i tyre:
Në këtë ditë të madhe, pos falënderimit për ringjalljen e natyrës, ne me respekt të thellë e përulje, kujtojmë ditëlindjen e Hz. Imam Aliut a.s, por edhe vuajtjet, peripetitë dhe sakrificat nëpër të cilat ka kaluar Familja e Naltë e Ehlibejtit – trashëgimtarët e Profetit Hz. Muhamed Mustafa a.s.; kujtojmë, po ashtu, vuajtjet dhe sakrificën e popullit tonë shqiptar, i cili me peripeti të mëdha e të pafundme, tashmë po i realizon synimet e veta për dinjitet, mirëqenie, liri dhe pavarësi të plotë kombëtare.
Në këtë ditë të rëndësishme, si Teqe e Madhe Autoqefale Ballkanike, ashtu si dhe mbarë Bashkësia e Tarikateve të Kosovës, gjithsesi, që edhe për ne, është evidente mungesa fizike në vendin tonë, në familjen dhe në përgjegjësitë e tij, e ish-kryeministrit të Kosovës dhe udhëheqësit të shquar të luftës sonë për liri, komandantit të ZOD të UÇK-së, Ramush Haradinaj.
Bashkë me urimin për Ditën e Madhe të Ringjalljes, urojmë dhe kërkojmë lirimin sa më të shpejtë të z. Haradinaj, nga ndalimi, mbajtja dhe padrejtësia, që po i bëhet atij dhe mbarë luftës sonë për liri, nga një gjykatë franceze në Colmar. Lufta e UÇK-së ishte e pastër, e drejtë dhe çlirimtare. Këtë e ka dëshmuar edhe në dy procese të mbajtura ndaj tij në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, vetë z. Haradinaj dhe shumë bashkëluftëtarë të tij.
TMAB përkrahë gjithashtu nismën e Presidentit të Kosovës dhe të institucioneve të vendit për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shpreson e kërkon veprime më të shpejta institucionale në jetësimin e këtij hapi historik për shtetin e Kosovës.
Me shpresën se paqja dhe drejtësia do të ngadhënjejë edhe në këtë rast dhe kudo në botë, i urojmë edhe një herë besimtarët dhe bashkëkombasit tanë kudo që janë, me respekt e lutje për mirëqenie të plotë për njëri-tjetrin, me dëshirat më të mira për festën e Sulltan Nevruzit, Ditëlindjen e Hz. Imam Aliut A.S., Ditën e Pranverës dhe të ringjalljes së natyrës.
Sheh Musa Shehu,
Postmbajtës i Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike
