Vjehrra jep për birësim vajzën, nëna e dëshpëruar: Dua ta dëgjoj t’më thotë “Të kam falur”

Një nënë e dëshpëruar kërkon të marrë informacione për vajzën e saj, që e kanë dhënë para 25 vitesh për birësim, pa dijeninë dhe pëlqimin e saj.

Lejmone Jahaj mes lotësh pohoi nga studio e emisionit “Me zemër të hapur” në News 24, ku ishte së bashku me djalin e saj, se vjehrra i keqtrajtonte vajzën, në atë kohë vetëm 3 vjeçe, (nga martesa e saj e parë). Ajo u detyrua më pas ta dorëzojë në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Mes dhimbjes dhe ankthit, 50-vjeçarja tregoi jetën e saj të trishtë dhe arsyet që e çuan në ‘braktisjen’ e vajzës.

“Kam kërkuar për vajzën, por aq mundësi kam pasur. Nëpërmjet një mjekeje që ka qenë në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë mësova se Matildën ma ka birësuar një çift nga Janina, në vitin 1992. Mjekja më tha që babai birësues quhej Lefter dhe se vajzës I kanë vendosur emrin Maria. Ju lutem më ndihmoni që ta gjej, dua ta di ku është. Ta shoh”, – pohoi Lejmone, ndërsa shton se do që t’i dëgjojë zërin dhe që t’i thotë: “Të kam falur nënë”.

Lejmone Jahaj, e cila jeton në fshatin Mesaplik të Vlorës, u martua në moshën 20-vjeçare me Seit Xhaferrin dhe po në vitin e parë të martesës divorcohet. Ishte shtatzënë kur familja e marton sërish dhe këtë herë me Sokrat Jahaj. Jeta e kësaj nenë është e mbushur me dhimbje dhe i ngjan një drame të vërtetë.

Matilda ishte emri që Lejmone zgjodhi për vajzën e saj, e cila lindi me 11 janar 1988. Fati vogëlushes do të ishte i trishtë, pasi ajo nuk e pati mundësinë të rritej dhe të përkëdhelej nga nëna e saj. Matilden e vogël nuk e dëshironin në familje, pasi vjehrra dhe vjehrri i Lejmones jo vetëm që nuk e donin, por dhe e keqtrajtonin.

Në vitin 1989, Lejmona sjellë ne jetë vajzën dytë që quhet Eva Jahaj dhe në vitin 1992 sjellë në jetë dhe djalin, Nezirin. Kur Matilda ishte 3 për 4 vjeçe, nëna e saj detyrohet ta dërgojë në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Ajo nuk dëshironte ta braktiste vajzën, por askush nuk i zgjati dorën për tu kujdesur për të, madje as që ta mbante gjatë kohës kur nëna ishte në punë.

Me shpresën se do ta rimerrte kur të niste shkollën, Lejmone e dorëzoi vajzën në Befotrof. Por pas 6 muajve qëndrimi atje, kur nëna shkon të shoh vajzën mëson të vërtetën e hidhur; Matildën e kishin dhënë për birësim. 50-vjeçarja shokohet akoma më shumë kur mëson se pas këtij vendimi fshihej vjehrra e saj.

Që nga ai moment, Lejmone nuk e pa më vajzën e saj, ndërsa lotët e mallit i rrjedhin nga sytë. Sot nëna e Matildës 29-vjeçare ka nevojë për ndihmë, pasi është në kërkim të gjurmëve të së bijës, e cila u birësua në vitin 1992. Ndaj, le të ndihmojmë të gjithë për të gjetur Matildën. /Balkanweb/

Temat
Rajon

Të afërta