Hakerat rusë, Britania e Madhe në alarm

Sulmet e hakerave rusë mund të kërcënojnë demokracinë në Britaninë e Madhe. Sipas the Sunday Times, shefi i agjencisë kombëtare të sigurisë kibernetike, i ka shkruar një letër partive politike, duke u ofruar atyre këshilla për parandalimin e sulmeve.

Por, sekretari i jashtëm, Boris Johnson, tha se deri më tani nuk ka prova për sulme të suksesshme në Britaninë e Madhe, pavarësisht se paralajmëroi se nga Rusia mund të pritet gjithçka.

“Për momentin, nuk kemi prova se rusët po përpiqen të dëmtojnë proceset tona demokratike për momentin. Por, ne kemi prova me shumicë se rusët janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Nuk ka dyshim se ata janë në gjendje të përdorin çdo mjet të pistë. Keni parë sulmet mbi televizionet franceze, atë çfarë ka ndodhur në SHBA, apo në mal të zi, ku u përpoqën të bënin grusht shteti ose edhe të vrisnin liderin e tij, për të mos folur më pas se çfarë kanë bërë në Ukrainë”, u shpreh Sekretar i jashtëm britanik, Boris Johnson.

Në shkurt, zyrtarët kishin deklaruar se Britania kishte qenë në shënjestër të 188 përpjekjeve për hakerim, në vetëm tre muaj, shumë prej të cilave kërcënonin sigurinë kombëtare.

Përveç Britanisë, në SHBA, zyrtarët e zbulimit kanë dalë në konkluzionet se presidenti rus kishte urdhëruar hakerimin e komitetit kombëtar demokrat për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit në favor të Donald Trump. Në Gjermani ndërkohë, zyrtarët kanë paralajmëruar për rritjen agresive të spiunazhit kibernetikë, nga një grup që besohet se kontrollohet nga Rusia.

Temat
BotëLajme

Të afërta