Mars ’97, Milo: Berisha më kërcënoi me 15 vite burg, ja çfarë i thashë

Ish-ministri i Jashtëm, politikani dhe historiani Paskal Milo, komenton për emisionin “45 minuta” në Report Tv negociatat e marsit të vitit 1997, që çuan në formimin e Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar.

Milo rrëfen përplasjen me Presidentin e atëhershëm Sali Berisha, pasi ky i fundit e kishte kërcënuar me 15 vite burg lidhur me deklaratat e ish-nënkryetarit të PSD-së në Vlorë për rrëzimin e qeverisë.

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale kujton se i është përgjigjur Berishës që të shkojë në Vlorë dhe t’i ankohet popullit atje.

“Unë iu drejtova Tritanit dhe Berishës me gjuhën e momentit dhe z.Berisha gjithashtu më akuzoi se kisha një mikun tim që ishte anëtar i Komitetit të Shpëtimit të Vlorës dhe unë i thash mos më akuzoni mua në këtë tavolinë as mos i bëni në Tiranë, por shkoni në Vlorë, po ua mbajti dhe ia thoni popullit të Vlorës atje”.

Gjatë bisedimeve, Milo kujton gjithashtu se Berisha kundërshtoi propozimin e PS-së që të ishte ai kryeministër i Qeverisë së Shpëtimit, për shkak të pozicionit të nënkryetarit të Partisë Social Demokrate të Skënder Gjinushit.

Ish-ministri i Jashtëm thekson gjithashtu se negociatat mes Berishës dhe opozitës nisën pas insistimit të ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë.

“Edhe tavolina që u iniciua në Presidencë për bisedime, ka pasur një nxitje nga këta dy ambasadorë dhe më pas u arrit dhe nga disa aktorë të tjerë, u arrit që të bëhej takimi i njohur mes z.Mejdani e Dokles me Berishën dhe Shehun në Presidencë”.

Duke komentuar situatën aktuale politike, Milo thotë se Shqipëria nuk rrezikon krizë sociale si në ’97-ën, pasi njerëzit janë më të ndërgjegjësuar, ndërsa protestën e opozitës e sheh si rezistencë ndaj ligjit të Vettingut.

Z.Milo, si i kujtoni zhvillimet e Marsit të vitit 1997?

Marrëveshje e 9 marsit ishte një kompromis që nuk shprehej me terma konkrete, u kritikua nga forumi për demokraci. Ishte një marrëveshje në kushte ekstreme, ishte e domosdoshme të bëhej se vendi ishte gati të kthehej një luftë civile. Në këtë rast mendoj që në atë kohë, mbështetur në interesin e vendit, ishte shumë e mirë dhe i hapi rrugë stabilizimit të vendit dhe shkuarjes drejt zgjedhjes.

Kontestimet më të mëdha kanë qenë të roli i Presidentit Berisha, ai ishte përgjegjës ishte pjesë e tryezës, si e komentoni?

Berisha kishte një përgjegjësi të madhe, me gabimet e tij solli vendin në atë situatë për rrjedhojë ishte kryesuesi i tavolinës. Ai përpiqej me çdo kusht që të bindnin shqiptarët që të dorëzonin armët. Por partitë politikë kërkonin që të bëheshin zgjedhje të reja, dhe këtu ai ka rezistuar dhe më pas me presion ndërkombëtar dhe duke parë që situata po përkeqësohej u bë. Pasi është vendosur dhe gjendja e jashtëzakonshme. Më 6 mars është bërë marrëveshja e parë e 6 marsit që u skicuan disa teza të përbashkëta, dhe marrëveshja e dytë e plotë e 9 marsit ku u vendos që të krijohej një qeveri teknike e pajtimit kombëtar. U vendos që Kryeministri i takonte PS, PD ministri i brendshëm, dhe më pas një mbledhje tjetër për të caktuar portofolet e ministrave të tjerë.

Berisha pse kërkoi Finon?

Në fillim pasi u vendos që kryeministri i takonte PS, Berisha këmbënguli për Ministrin e Brendshëm, u hodh emri i Eduart Alushin, kryetar i PS për Vlorës, kishte dalë në protestë kundër skemave të firmave piramidale, përfaqësonte një popull në revoltë ai. Por Berisha menjëherë ka kundërshtuar fort kandidaturën e tij, sepse e quajti si zjarrvënës. Namik Dolke propozoi Majkon, dhe Berisha e refuzoi sërish. Ai refuzoi që të caktoheshin në postin e Kryeministrit dhe poste qeveritare drejtues të partive politike. Majko kishte një post në PS dhe e kundërshtoi Berisha. Pasi e kundërshtoi, unë kam qenë si përfaqësues i z.Gjinushi, z.Majko ma bëri me shenjë që t’ua japim ju postin e Kryeministrit. Dhe unë bisedova me Gjinushin dhe ramë dakord. Majko u ngrit dhe propozoi emrin tim, por Berisha u ngrit dhe kundërshtoi, duke thënë se Paskali është nënkryetar i një partie politike.

Do ta kishit pranuar?

Patjetër. PS e delegoi te aleati i saj, PSD, postin e Kryeministrit. Nga kjo këmbëngulje e z.Berisha, drejtuesit e posteve politike nuk u përfshinë në qeveri. Pasi u konsuamuan këto emra, u bë një pushim. Gjatë këtij pushimi ka pasur një konsultim të brendshëm misterioz dhe pasi u mblodhëm u ngrit Majko dhe propozoi emrin e Bashkim Finos si Kryeministër të qeverisë së pajtimit kombëtar. Menjëherë, pa u uluir Majko, u ngrit Tritan Shehu dhe tha: “Po, Dakord”. U kuptua që ishte bërë një marrëveshje paraprake gjatë pushimit.

E mendoni pse PD dhe z.Berisha ishte kaq komod me emrin e Finos?

Thjesht për faktin se Fino nuk ishte në poste të larta në PS, ishte kryetar bashkie i Gjirokastër dhe mundet që të dhënat nga terreni ishin pozitive për Finon. Pra, nuk kishte prapavijë të dyshimtë për Berishën. Ai mendonte se Kryeministri Fino do të ishte një lojtar i dobët politik dhe ai do të mund ta menaxhonte si President me qëllim që të arrinte qëllimet e tij. Finos, pavarësisht se i mungonte përvoja, drejtoi angazhimin e duhur politik dhe arriti të tregonte një profil komunikimi me Berishën, të ulet shpeshherë me të. Fino edhe është akuzuar nga PS se ka qenë shumë komunikues me Berishën. Por Fino arriti ta menaxhonte situatën me zgjuarsi dhe qetësi. Flasim për një situatë ekstremisht të rëndë, pasi bandat zotëronin rrugët kryesore të vendit. Janë vrarë rreth 3000 njerëz në atë kohë dhe kjo situatë u menaxhua me efikasitet nga z.Fino.

Keni qenë çdo ditë nga 6-11 mars, a mund të quhet momenti më i vështirë i ish-presidentit?

Padyshim. Duhet thënë se Berisha në një moment u bë gati për t’u larguar nga vendi, pasi largoi familjen dhe e dyta për të dhënë dorëheqjen. Po të kemi parasysh të dhënat e Mero Bazes në librin e tij, pasi ka qenë këshilltar i ish-Presidentit, Berisha kishte bërë aktin e dorëheqjes dhe ka qenë në dilemë për t’u larguar me helikopter, në momentin kur u tha se mund të rrethohej Presidenca nga njerëzit që vinin nga Gjirokastra, Tepelena dhe Vlora, ku protestuesit kërkonin ndryshime radikale qeveritare.

Ai kishte ndërhyrje nga jashtë që e shpëtuan Berishën?

Ka pasur. Ne si opozitë atë kohë kemi qenë në trysninë e faktorëve ndërkombëtarë, të ambasadorëve të akredituar në Tiranë, të Paolo Ferrestit, Mariza Lino, ambasadores së SHBA në Tiranë. Më kujtohet që së bashku me z.Gjinushi, një ditë, në kulmin e ngjarjeve, pasi kishim shkuar në Tepelenë e Gjirokastër, na thirri në ambasadën amerikane dhe na tërhoqi vëmendjen. Ka pasur një debat të ashpër mes Gjinushit dhe Linos, për të mos nxitur dhe inkurajuar revoltat e jugut, në një kohë kur ne flisnim në emër të opozitës, forumit për demokraci. Edhe tavolina që u iniciua në Presidencë për bisedime, ka pasur një nxitje nga këta dy ambasadorë dhe më pas u arrit dhe nga disa aktorë të tjerë, u arrit që të bëhej takimi i njohur mes z.Mejdani e Dokles me Berishën dhe Shehun në Presidencë.

Dy ambasadorë kërkuan që të uleshin në tryezë me Presidentin?

U bënë ndërmjetës midis palëve për të filluar bisedimet.

Z.Nano ka pasur rol në këtë histori?

Jo. Z.Nano në atë kohë, diku nga 7 marsi, është larguar nga burgu 305 në Tiranë, jo si gjithë të tjerët meqë u hapën burgjet, por ka ikur me dinjitetin e një politikani, kryetarit të PS, të opozitës, që duhet pranuar se padrejtësisht u burgos në atë kohë. Nano komunikonte me PS përmes letrave dhe të dërguarve të posaçëm. Por, mesa jam në dijeni, në ato ditë të nxehta, Nano nuk ka mundur të komunikojë dhe të përcaktojë linjën e PS në zhvillimin e këtyre ngjarjeve. Mendohej që mund të ketë ndonjë konsultim indirekt, por deri tani nuk ka m parë një letër të shkruar nga Nano që të përcaktonte qëndrimin politik të PS.

Hapja e depove ka qenë e planifikuar, si pikënisje për luftën ën Kosovë?

Hapja e depove ishte rënia e shtetit. Protestuesit nuk kishin ndërmend të shkonin te depot, por degjenerimi i procesit dhe mungesa e masave për të sqaruar protestuesit bëri që gradualisht procesi të degradonte në anarki. U krijuan bandat. Nëse ligji do funksiononte, bandat nuk do fitonin terren. Rrugët nacionale kontrolloheshin nga kapobandat, të ndalonin makinën, të kontrollonin kush ishte e kush s’ishte.

Në cilësinë e syrit të historianit, çfarë të ka bërë përshtypje ato ditë negociatash?

Kam pasur një debat të ashpër me Berishën në datën 9 mars në mbrëmje, kur më akuzoi si një nga organizatorët kryesorë të protestave të Vlorës. Unë kisha mbajtur një fjalim atje para një turme të madhe njerëzish dhe kisha bërë thirrje për rrëzimin e qeverisë. I ndodhur përpara mijëra njerëzve ndonjëherë edhe politikanin e merr euforia e turmës dhe Berisha e përjetoi keq dhe më kërcënoi në mbledhje të hapur së bashku me Tritan Shehun se me ato deklarata do dënohesh me 15 vite burg.

Si e pritët këtë?

Unë iu drejtova Tritanit dhe Berishës me gjuhën e momentit dhe z.Berisha gjithashtu më akuzoi se kisha një mikun tim që ishte anëtar i Komitetit të Shpëtimit të Vlorës dhe unë i thash mos më akuzoni mua në këtë tavolinë as mos i bëni në Tiranë, por shkoni në Vlorë, po ua mbajti dhe ia thoni popullit të Vlorës atje. Më vonë e kam kërkuar këtë kasetë, të mbledhjes, për ta pasur në arkivin tim filmik.

Si e shihni situatën aktuale politike, jemi sërish në mars?

Kriza po shkon drejt përshkallëzimit. Mazhoranca me cinizëm e nënvlerësoi, tashmë ka arritur në një pikë që mund të shkaktojë jo trazira sociale, të cilat s’dua t’i besoj sepse populli është kaq i mençur të mos shkojë dhe të bëhet pre e ambicieve politike të njërës apo tjetrës palë. Sot në 2017-ën, shqiptarët nuk janë si 26 vjet më parë që u besonin politikanëve. Populli ka një zhgënjim të madh nga politika, i ka provuar të dyja palët, por sigurisht që ka ende qarqe të vijojnë ta kenë kokën të nxehtë dhe janë të gatshëm të hidhen në aventura. Por, nuk besoj se kjo krizë do të ketë dimensione sociale. E shoh krizën në aspektin politik. PD për të arritur objektivat e saj në funksion të 18 qershorit ka mobilizuar strukturat për ta mbajtur tensionin të lartë për dy arsye, për t’i pasur të përgatitur për zgjedhjet, të mbajë larg tonin dhe të përgatisë atmosferën për zgjedhjet që PD të shfaqet si aktor politik pretendues.

Basha e ka sfidë personale këtë protestë, nuk ka rrugë tjetër, por dhe z.Berisha dhe një numër politikanësh të PD, kanë probleme dhe mendojnë se do kenë probleme në rastin kur Vettingu do mund të zbatohet. Do fillojë me gjyqtarët dhe prokurorët dhe më pas do të marrë në konsideratë edhe aktorë politikë. Për të gjitha këto gjëra, njerëz të veçantë të PD kërkojnë që të ngrenë frymën e protestës që i kanë këto synime dhe në këtë kuadër ajo që do ta pësojë në këtë rast është, duan që procesin zgjedhor ta komprometojnë. Thotë s’do bojkotojë, por s’do ketë zgjedhje pasi ne s’do lejojmë mazhorancën që të bëjë zgjedhje. Është një strategji. Nëse deri në 9 prill, partitë e opozitës nuk regjistrohen, humbet të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Nëse deri në 21 prill nuk çojnë koalicionet, nuk marrin pjesë si koalicione në zgjedhje.

Temat
Rajon

Të afërta