AAK: Paralajmërimi i Thaçit për dorëheqje joserioz dhe qesharak

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e sheh si qesharake dhe joserioze deklarimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se nëse nuk bëhet Ushtria do të jap dorëheqje. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Muharrem Nitaj ka thënë se edhe ndërkombëtarët duhet të jenë më këmbëngulës për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë për Express se fajtorët kryesor për mos krijimin ushtrisë së Kosovës deri më sot, janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

“Nëse do t’i kërkonim dy emra të përveçëm ndër fajtorët pse FSK-ja nuk është transformuar në ushtri deri me sot, ata janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa”, ka thënë ai.

Kurse, sa i përket deklarimit të presidentit Thaçi, se nëse nuk bëhet ushtria do të jap dorëheqje, ai ka thënë se kjo deklaratë është qesharake.

“Faji për mos krijimin e ushtrisë nuk është i javës së fundit, por i disa vjetëve të fundit. Nëse Presidenti Thaçi do që të reflektojë për përgjegjësinë e tij në këtë proces, posaçërisht prej vitit 2011-të e këndej, kjo është tjetër çështje, por paralajmërimi për një dorëheqje të mundshme si pasojë e situatës së krijuar me projektligjin për FSK-në në javën e fundit, kjo më duket jo vetëm joserioze por edhe qesharake”.

Zëdhënësi i AAK’së ka bërë me dije se janë deklaruar se do ta mbështesin çdo nismë që do të rezultojë me krijimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse kjo, sipas tij, parashihet edhe me dokumentet ndërkombëtare mbi bazën e të cilave është arritur edhe pavarësia e Kosovës,

“…por sigurisht se do të insistojmë që ky projekt të përmbyllet ashtu siç duhet, në bashkërendim edhe me partnerët strategjik të vendit. Kjo është një e drejtë që i takon Kosovës dhe s’ka pse të mos realizohet, ka thënë ai.

Nitaj ka thënë se edhe partnerët ndërkombëtarë duhet të jenë më këmbëngulës, në mënyrë që krijimi i Ushtrisë së Kosovës të mos mbetet peng i vullnetit të munguar të deputetëve të pakicës serbe. /Gazeta Express/.

Temat
Vend

Të afërta