Mediat serbe për fotografinë e Veselit dhe deklaratat se Kosova duhet të jetë pjesë e OKB: Trump po na shokon

Zhvillimet e fundit e kanë zhgënjyer publikun në Serbi, që priste me shpresë të madhe ndryshimin e qasjes amerikane ndaj Kosovës, me ardhjen e presidentit Donald Trump.

Publiku serb ka pasur pritje të mëdha pas zgjedhjes së Donald Trumpit president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shpresuar se administrata e re në Shtëpinë e Bardhë do të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

Megjithatë, së fundmi presidenti i 45’të i SHBA’së dhe njerëzit e tij më të afërt i kanë shtypur bindshëm shpresat e serbëve.

Për një ditë, Trump dhe bashkëpunëtorët e tij kanë shokuar serbët dy herë, shkruan portali serb ‘Telegraf’.

Goditja e parë ndaj serbëve ka ardhur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku përfaqësuesit e Serbisë me shumë mund po përpiqen të pengojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, transmeton Gazeta Express.

Ambasadorja e re amerikane në OKB, Nikki Haley, ka thënë se Kosova “meriton të jetë anëtare e plotë e OKB’së”.

SHBA’ja beson se komuniteti ndërkombëtar duhet të vlerësojë përparimet e mëdha që Kosova ka bërë që kur është pavarësuar.

Menjëherë pas kësaj, ka ardhur goditja tjetër. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka publikuar një fotografi nga takimi që ka pasur në Uashington me presidentin amerikan, Trump.

“Të dashur miq, sapo pranova fotografinë zyrtare nga takimi që pata ditë më parë, në Washington, me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Kosova është e bekuar që ka mbështetjen amerikane dhe ky takim konfirmoi besimin tim dhe tuajin për aleancën e përjetshme në mes të Amerikës dhe Republikës sonë”, ka shkruar Veseli.

Për publikun në Serbi, zhvillimet e fundit përbëjnë zhgënjim të madh. Serbët e shohin administratën Trump si vazhduese të politikës së administratës së kaluar të Barack Obamas.

Milovan Drecun, kryetar i komisionit për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, ka thënë se zhvillimet e fundit tregojnë se për SHBA’në, Kosova është kapitull i mbyllur, dhe se ajo do të vazhdojë ta trajtojë Kosovën si shtet.

Temat
BotëLajmeRajonVend

Të afërta