Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron për një vizitë dy ditore në Kroaci.
Hoxhaj ka takuar Presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovicć, kryeministrin Andrej Plenkovic dhe ministrin e Jashtëm, Davor Ivo Stier.
“Në takimet e ndara, Hoxhaj ka ngritur nevojën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, të tregtisë, të sigurisë, integrimet evroatlantike dhe sektorë të tjerë me specifik për të cilat Republika e re e Kosovës ka shumë nevojë të përfitoj nga Kroacia,” bëhet e ditur për media.
Hoxhaj me ministrin e Jashtëm Stier, janë pajtuar për konsultime të rregullta dhe koordinim jo vetëm për çështje bilaterale por edhe rajonale pasi Kroacia është edhe një partner rajonal i rëndësishëm për Kosovën.
“Kroacia është një partner i rëndësishëm bilateral për Kosovën dhe me kolegët e mijë në Zagreb kam folur për një thellim të marrëdhënieve tona politike dhe të bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit në të ardhmen të një forumi të përbashkët të investimeve dhe tregtisë në Prishtinë. Po ashtu, Kroacia është edhe një partner rajonal që shtrihet në Evropën Juglindore dhe temat e sigurisë, paqes dhe
stabilitetit në rajonin tonë kanë qenë temë e shkëmbimeve tona. Sikurse ky shtet si anëtar i BE-së dhe NATO-së do të jetë një mbështetës i fuqishëm në të ardhmen evropiane të Kosovës por edhe të zbatimit të një marrëdhënie të re me NATO-në që e kemi krijuar nga dhjetori i vitit të kaluar ”, ka thënë Hoxhaj.
Ministrat Hoxhaj dhe Stier kanë mbajtur edhe një konferencë për shtyp ku kanë folur edhe për rajonin dhe situatën e fundit të krijuar pas provokimeve të Serbisë.
Hoxhaj ka thënë se Kosova mbështetet edhe në Kroacinë për të luajtur së bashku një rol që i kundërvihet sjelljes agresive të Serbisë dhe i pamundësojnë rikthimin e skemave të vjetra të dominimit serb në rajon.
Hoxhaj ka takuar edhe ministrin e mbrojtjes, Damir Krstičević me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë.