Kryeministri Edi Rama tha se Partia Demokratike po përpiqet të fshehë frikën nga reforma në drejtësi duke ngritur një kauzë artificiale, siç ai quajti protestën e tyre me kërkesën për zgjedhje të lira.
Sipas tij, qeveria e majtë ka vullnetin për zbatimin e reformës dhe gëzon edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, transmeton Express.
Sipas Ramës nuk ka asnjë cënim të kushtetutës, në faktin që SHBA dhe BE do të garantojnë reformën përmes monitoruesve të tyre, pasi kjo – thekson Rama- ishte një kërkesë që ju bë nga vetë Shqipëria.
“Vettingu do të pastrojë duart e drejtësisë dhe politikanët nuk do munden më të vazhdojnë teatrin e virgjëreshave që akuzojnë njëra-tjetrën për imoralitet. Reforma është vijë e qartë ndarëse mes Shqipërisë që trashëguam prej udhëheqësve të protestës së djeshme dhe Shqipërisë që socialistë e demokratë të thjeshtë duan për fëmijët dhe atdheun e tyre të përbashkët
SHBA dhe BE e mbështesin dhe do ta garantojnë këtë reformë me monitoriuesit e tyre bazuar në kërkesën tonë për ndihmë dhe në kushtetutën që ne ndryshuam për të ndryshuar me themel drejtësinë shqiptare.
Ata që erdhën dje në bulevard e duan reformën në drejtësi dhe vettingut njësoj siç i duam ato edhe unë edhe shumë të tjerë. Ndërsa ata që i thirrën në protestë nuk duan reformën dhe as vettingun që do largojë gjithmonë nga pallati i drejtësisë gjykatësit dhe prokurorët që ruajnë kapakët e puseve të mbyllura të zullumeve të tyre. Udhëheqësit i friken vettingut siç i friket djalli temjanit.
Ata duan t’i mbrojnë me çdo kusht të korruptuarit në drejtësi dhe janë gati ti hapin luftë Amerikës dhe Evropës duke baltosur përfaqësuesit e tyre me lloj-lloj shpifjesh e akuzash qesharake. Gjithë këtë frikë e maskojnë me thirrjen absurde për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet do të jenë më të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë pavarësisht bllokimit të reformës zgjedhore nga udhëheqësit e protestës së djeshme. Ne jemi një qeveri që e mbështet pa asnjë rezervë reformën në drejtësi e cila duhet të nisë një herë e më parë me zbatimin e vettingut dhe jemi të vendosur në rrugën tonë për të bërë shtet”, – tha Rama gjatë rublikës Komunikimi i Javës në rrjetin social Facebook.