Rama qytetarëve: Ju respektoj për protestën, por të ‘keqen’ e keni nën çadër!

Kryeministri Edi Rama tha se respekton qytetarët që kanë dalë në protestën e organizuar nga opozita për të kërkuar rrëzimin e qeverisë së tij, por shtoi se nuk bie dakord me kauzën e udhëheqësve politikë të protestës.

Sipas tij kërkesa për zgjedhje të lira është artificiale pasi askush sipas tij nuk po i cënon ato, dhe se arsyeja e vërtetë e ngritjes së Partisë Demokratike në protestë, është frika nga reformimi i sistemit gjyqësor që sipas tij, deri dje ka qenë në duar të opozitës.

Gjatë Komunikimit të Javës në Facebook, Rama theksoi disa herë se nuk i paragjykon qytetarët e thjeshtë që kanë ngritur zërin kundër politikave të tij, por tha se kjo qeveri është e vetmja që po përpiqet të bëjë shtet në rrugën e vështirë të reformave. Rama tha se qytetarët do të ndihen të tradhtuar nga udhëheqësit e protestës, pasi sipas tyre po shfrytëzohen duke u mbajtur brenda çadrës së ngritur përballë kryeministrisë, me qëllimin e vetëm sipas tij: mbrojtja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të sistemit të drejtësisë.

“Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi janë të lirë të mendojnë krejt ndryshe nga unë, të protestojnë kundër qeverisë, kanë të gjithë mundësinë që të kërkojnë me zë të lartë edhe vetë largimin e kësaj qeverie një orë e më parë.

Por nëse çadra që polli protesta e djeshme do të shërbejë si streha për tu mbrojtur nga reforma në drejtësi dhe për të mbrojtur pengmarrësit e drejtësisë nga vettingu, atëherë protestuesit e djeshëm do të jenë të tradhtuarit më të mëdhenj nga udhëheqësit e protestës së tyre. Unë nuk kam asnjë formulë magjike për të shëruar më shpejt plagët e mëdha të së shkuarës, por jam e bindur se do i shërojë operacioni ynë i vendosur i reformave, këmbëngulja jonë e përbashkët për të përballuar kurat e vështira të reformave, në vend të terapisë së gënjeshtrave e të iluzioneve që na humbën 25 vjet kohë.

Ne do të kërkojmë një mandat tjetër në 18 qershor për Shqipërinë dhe fëmijët e këtij vendi që meritojnë të jenë qytetarë të barabartë të Evropës së bashkuar.

Ku ne përmes reformave tona do ta fusim Shqipërinë me të drejta të plota. Respekt për këdo që nuk na ka votuar dhe që doli dje në protestë për të kontestuar qeverisjen tonë por asnjë hap mbrapa dhe asnjë lëkundje në përmbushjen deri në fund të detyrave tona për të ndërtuar themelet e shtetit modern që meritojnë të gjithë shqiptarët”, tha Rama.

Rama tha se udhëheqësit e protestës po “fshihen pas të varfërve dhe pas plagëve të mëdha që hapën me keqqeverisjen e tyre”. Kundërshtimi që i bëjnë reformës në drejtësi, sipas tij, është “kulmi i hipokrizisë dhe i degradimit të politikës”.

Temat
LajmeRajon

Të afërta