Kongresistët amerikanë: Një Kosovë e fortë i bën mirë rajonit

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur mëngjesin e sotëm delegacionin e kongresistëve amerikanë të administratës së re të presidentit Donald Trump, Peter Roskam dhe David Price.

Në konferencën për media pas këtij takimi, Veseli tha se pas vizitës që kishte zhvilluar në SHBA, vizita e kongresistëve amerikanë konfirmon edhe njëherë përkrahjen e fuqishme nga SHBA për Kosovën edhe nga administrata e re e udhëhequr nga Trump.

Veseli ka falënderuar kongresistët amerikanë të cilët po qëndrojnë në Kosovë për t’i dhënë një përkrahje të mëtejme Kosovës.

“Sa herë kongresistët amerikanë kanë ardhur në Kosovë, e kanë përçuar vetëm mesazhin e lirisë dhe të demokracisë, të cilat sot i kemi në Kosovë duke iu falënderuar njerëzve të tillë. Ne do të vazhdojmë këtë partneritet që për Kosovën është shumë i veçantë, për ta zhvilluar vendin tonë, demokracinë, institucionet demokratike në një partneritet të përbashkët, të përjetshëm me SHBA si Republikë e Kosovës”, ka thënë Veseli, raporton Koha.net.

Peter Roskam, anëtar i Kongresit amerikan, ka thënë se marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të mira, dhe shtoi se “një Kuvend i fortë do të thotë Kosovë e fortë dhe një Kosovë e fortë është një demokraci e fortë që i bën mirë rajonit dhe tërë botës”.

“Ky është rasti i parë që anëtarët e Kongresit udhëtojnë jashtë SHBA-ve pas betimit të bërë muajin e kaluar. Kosova është ndalesa jonë e parë. Kjo ndodh sepse ky vend është shumë i rëndësishëm. E gjithë bota i ka sytë kah Kosova dhe e gjithë bota po punon për Kosovën në njëfarë forme. Ne padyshim se jemi. Ne besojmë se një Kosovë stabile, ku janë të përfshira të gjitha palët qeverisëse, është ajo Kosovë që ne e dëshirojmë”, tha Roskam.

Ndërkaq, kongresisti tjetër, David Price, tha se ndihet mirë që kthehet në Kosovë pasi SHBA-të kanë pasur gjithmonë raporte të afërta me vendin tonë”.

“Vendi ynë është i kënaqur me atë që ka investuar për të ardhmen e këtij vendi dhe me atë që ju keni luftuar për të ardhmen tuaj. Kemi pasur telashe edhe brenda vet vendit tonë, por siç tha kolegu, kjo është vizita jonë e parë jashtë SHBA-ve pas transicionit që ka ndodhur. Një pjesë qëllimit të kësaj vizite është që të japim sinjalin se pavarësisht ndryshimeve në udhëheqësinë e vendit tonë, ne kemi një politikë dy-partiake në Ballkan, e në veçanti me Kosovën, dhe jemi të përkushtuar që këtë politikë ta vazhdojmë. Kemi qenë me Kosovën që nga fillimi.

Dhe ne e forcuam partneritetin menjëherë pas pavarësisë. Zyrtarë shtetërorë të Kosovës kanë qenë SHBA dhe me kalimin e viteve kemi ndërtuar, jo vetëm përvoja vullet-mira, por edhe të vlefshme që do t’i mundësojnë Parlamentit të Kosovës të jetë institucion i pavarur”, ka thënë Parice, raporton Koha.net.

“Jemi krenarë që jemi partnerë me ju dhe presim me padurim të vazhdojmë këtë marrëdhënie”, përfundoi kongresisti amerikan.

Ligjvënësi Roskam drejton “Partneritetin e Dhomës për Demokraci” (HDP), një komision dypartiak me 20 anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve që punon drejtpërdrejt me shtetet partnere në gjithë botën për të mbështetur zhvillimin e institucioneve ligjvënëse efikase e të pavarura.

Temat
BotëLajmeRajonVend

Të afërta