Trajneri i Bayern Munich, Carlo Ancelotti ka pranuar se bëri një gjest të pahijshëm drejt një tifozi të Hertha Berlin pas ndeshjes të së shtunës.
Sfida e Bundesliga-s përfundoi mes polemikave pas golit të barazimit të shënuar nga Lewandowski në minutën e 96-të të ndeshjes, jashtë kohës shtesë të vendosur nga arbitri kryesor.
Lojtarët e Herthas rrethuan arbitrin pas fërshëllimës së fundit, teksa edhe tifozët vendas mbetën të pakënaqur nga mënyra se si u mbyll ndeshja, shkruan Telesport.
Dhe në rrëmujën që ndodhi, Ancelotti ka pranuar se ai i tregoi gishtin e mesit një tifozi teksa po sulmohej nga shkallët e stadiumit.
“Po, e bëra atë gjest, pasi më pështynë,” shprehet italiani për Bild kur u pyet rreth incidentit. Barazimi mundëson bavarezët të ruajnë kryesimin, megjithëse RB Leipzig mund të shkurtojë diferencën në pesë pikë nëse mundin Borussia Monchengladbach të dielën.