Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të ndodhë nëse Komisioni për Matjen e Territorit i bindë deputetët dhe qytetarët se s’po humbet tokë. Të martën e javës së ardhshme Komisioni prezanton të gjeturat lidhur me matjen e territorit.
Një Komision për Matjen e Territorit pritet të sqarojë javën e ardhshme nëse versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi është në rregull apo ndikon që Kosova të humbë territor.
Në këtë situatë, Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti thotë se për të kaluar demarkacioni në Parlament, Komisioni për Matjen e Territorit duhet t’i bindë deputetët dhe qytetarët se s’po humbet tokë me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Qeveria ka një vendim për matjen e territorit dhe ka krijuar një komision. Shpresoj që do ia arrij qëllimit që të kemi të dhëna të sakta sa i përket sipërfaqes si tërësi. Varet se a binden qytetarët e Podgurit e Rugovës së pari, se a është bërë matja e territorit mirë. Dhe a do të binden deputetët qe gjithçka është në rregull”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK’së.
Ky zyrtar i PDK’së që kishte shprehur dyshime se në versionin aktual të demarkacionit humbet territor thotë se çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi duhet trajtuar si interes shtetëror e jo problem i një mekanizmi.
“Çështja e demarkacionit nuk është problem i opozitës e as i shoqatave lokale, por është problem i interesit shtetëtor të Kosovës, prandaj edhe duhet te jemi të sqaruar të gjithe dhe të marrim vendimin e duhur”, shprehet Nënkryetari i Kuvendit.
Komisioni për Matjen e Territorit ka njoftuar se të martën e ardhshme dalin me raportin e parë lidhur me matjen që i kanë bërë territorit të Kosovës.
“Komisioni më 21 shkurt 2017, në ora 10:00, në mjediset e ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të prezantojë draftin e raportit të punës së tij, me të gjitha materialet dhe rezultatet”, thuhet në njoftimin e Komisionit për Matjen e Territorit.
Sidoqoftë, demarkacioni me Malin e Zi i cili dështoi të kalojë më 1 shtator të 2016-ës, pritet që këtë muaj të procedohet për së dyti herë në Kuvend.
Kjo çështje e cila është edhe vendimtare që Kosovës t’i liberalizohen vizat, ka pak gjasa që të kalojë edhe kësaj radh.
Opozita shprehet e palëkundur në qëndrimin e tyre karshi shënimit të kufirit me Malin e Zi, të cilët pretendojnë se vendi humb mbi 8 mijë hektarë tokë me versionin aktual të marrëveshjes. Për këtë temë, AAK, NISMA dhe Vetëvendosje kanë organizuar edhe protesta në Parlament dhe rrugë.
Megjithëkëtë, Qeveria ka paralajmëruar se më së largu deri në fund të muajit shkurt ta procedojë në Kuvend Demarkacionin, në mënyrë që Kosova të arrijë afatin e vendosur nga BE për t’i dhënë fund izolimit për udhëtim pa viza në shtete të tjera.