Hetimet për supergrabitjen në Rinas kalojnë nga Prokuroria e Tiranës tek ajo e Krimeve të Rënda.
Kjo vjen për faktin se Prokuroria e Tiranës ka shpallur mos kompetencë për hetimin e grupit të strukturuar kriminal që grabiste paratë e bankave të nivelit të dytë në aksin Tiranë-Rinas.
Katër persona kanë përfunduar në prangat e policisë dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim për grabitjen e mbi 6 milionë eurove.
Një ditë më parë (16 shkurt), Prokuroria e Tiranës zbardhi detaje rreth hetimeve dhe rolit të katër personave të arrestuar.
Sipas prokurorisë, shtetasi Fatjon Xhyliu, ish-punonjës i kompanisë private që transportonte paratë ka qenë në punë pranë kësaj kompanie, në kohën e vjedhjes me armë më 3 dhjetor 2015.
Ditën e ngjarjes, sipas prokurorisë, ai nuk ka qenë në punë.
Sipas dosjes hetimore, ky person nëpërmjet të arrestuarit tjetër Ditjon Memlika, është njohur me shtetasin Neim Avdulaj, i cili ka kërkuar bashkëpunim për vjedhjen e parave që do të transportoheshin për në Rinas nga kompania private e sigurisë.
Për informacionet e lëvizjes së parave, Xhyliu dhe Memlika do të paguheshin nga 100 mijë euro.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, shtetasi tjetër i arrestuar Ernest Kupa, dyshohet të jetë një nga autorët që janë përfshirë në grabitjen me armë.