Ish-kryeprokurorja Ina Rama dhe Albana Shtylla kalojnë ‘testin’ për në krye të “Vettingut”

Publikohet lista e gjyqtarëve kandidatë që do të bëjnë pjesë në institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Institucioni i Avokati i Popullit ka bërë publike mbrëmjen e kësaj të premteje dy listat me personat që kanë plotësuar kriteret dhe ata që nuk i kanë plotësuar ato, për pjesëmarrje në organet e “vetting”-ut.

Pasi ka përfunduar verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve, bie në sy se në listën e të pranuarve janë edhe Albana Shtylla, Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit, ish-kryeprokurorja Ina Rama; Shpresa Beçaj, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë, dhe ish-anëtari i KLD-së gjykatësi Sokol Çomo.

Avokati i Popullit verifikoi për një javë 192 aplikime, nga të cilat 9 aplikime kanë përmbushur kriteret formale për një pozicion në KLGJ apo KLP, ndërsa 163 aplikime nuk i kanë përmbushur kriteret për secilin pozicion. Ky proces është zhvilluar nën monitorimin e pandërprerë të ekspertëve ndërkombëtarë të ONM-së.

Në përfundim të këtij procesi, Avokati i Popullit i ka dorëzuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat e kandidatëve, si dhe të gjitha dosjet individuale fizike të aplikimeve të shqyrtuara për këta kandidatë.

Vlerësimi dhe rekomandimet për kandidatët nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, do t’i përcillen Avokatit të Popullit, që së bashku me dy listat e sipërcituara do t’ia dorëzojë më pas Kuvendit të Shqipërisë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta