Vendet që mbështesin opozitën siriane u mblodhën sot në kuadër të samitit të G20-ës, për të shprehur pikëpamjet e tyre dhe për të testuar qëndrimin amerikan disa ditë nga fillimi në Gjenevë të negociatave mes palëve kundërshtare.
Bëhet fjalë për takimin e parë të këtij grupi të ashtuquajtur “federatë”, që synon të ndajë të njëjtin mendim për çështjen siriane (10 vende perëndimore dhe arabe, si dhe Turqia) që prej marrjes së funksionit nga presidenti amerikan, Donald Trump një muaj më parë.
Për më tepër, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson do të jetë në qendër të vemendjes të partnerëve të tij, në ankth për të zbuluar qëndrimin e Uashingtonit për këtë konflikt të përgjakshëm.
Donald Trump ka përsëritur disa herë se lufta kundër organizatës së Shtetit Islamik ishte prioriteti i tij.
Ai i kërkoi Pentagonit plane për një strategji të re deri në fund të muajit dhe parashikoi një bashkëpunim të riforcuar me rusët në bombardimet kundër grupit xhihadist.
Një tjetër vend që do të jetë gjithashtu në vemendje, Turqia, mbështetësi i rebelëve sirianë dhe kundërshtare e hapure presidentit Bachar al-Assad prej shumë vitesh.
Por, Ankaraja, që ka ndërhyrë ushtarakisht në veri të Sirisë, ka pasur një afrim në fund të vitit 2016 me Moskën, aleate e Damaskut.
Turqia drejton së bashku me Rusinë dhe Iranin një armëpushim në Siri dhe një proces negociatash në Kazakistan që nuk ka mundësuar avancime të dukshme deri tani./atsh/