Lansohet klipi “Ndjesë”, Aida Doçi: Është ndjenjë e mirë kur puna ime pëlqehet (Video)

Këngëtarja Aida Doçi ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, këngën dhe klipin “Ndjesë”.

Në një prononcim për Telegrafin, këngëtarja ka rrëfyer detajet rreth punës për këtë projekt, i cili duket të jetë vërtet i veçantë.

“Kënga ime e re është e zhanrit baladë dhe është realizuar nga Chipsi, i cili është kujdesur për muzikën dhe orkestrimin, gjersa vargjet e tekstit i ka shkruar Fatmir Muja”, u shpreh ajo.

“Ndjesë” është shoqëruar edhe me një klip mjaft interesant, për të cilin ka punuar produksioni Imagine, ndërsa më tej Aida tregon për punën e palodhshme që kanë bërë së bashku për ta finalizuar këtë klip.

“Xhirimet e klipit i kemi realizuar në Turqi, bashkë me produksionin Imagine. Kemi xhiruar diku rreth dy-tri ditë, nuk jemi ngutur, pasi kemi dashur që gjithçka të shkojë gradualisht, dhe si përfundim jam e kënaqur”, tha ajo për Telegrafin.

Aida tashmë e ka dëshmuar veten si këngëtare, dhe është padyshim një ndër zërat më të kërkuar për të performuar live në mbrëmje të ndryshme muzikore. E pyetur nga Telegrafi për suksesin që po e arrin duke qenë kaq e kërkuar, Doçi u shpreh:

“Është padiskutim një ndjenjë shumë e mirë kur shoh që puna ime pëlqehet. Jam gjithnjë e angazhuar me koncerte, dhe për fatin tim të mirë, koncertet asnjëherë s’më kanë dështuar, gjithmonë ka pasur interesim. Kjo normalisht që më bën të ndjehem jashtëzakonisht mirë dhe ta falënderoj publikun për përkrahjen”. /Telegrafi/

Temat
Showbiz

Të afërta