Transporti publik, Veliaj: Qytetarët të informojnë për çdo parregullsi

Bashkia e Tiranës vijon inspektimet në linjat e transportit urban, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe nxitjen e investimeve për modernizimin flotave të autobusëve nga operatorët privatë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, udhëtoi me linjën Kinostudio-Kombinat, duke u njohur me shërbimin dhe kushtet që ofrojnë autobusët e saj, si dhe me opinionin e qytetarëve përdorues të rregullt të transportit urban. Ai vlerësoi se falë punës dhe kontrollit të vazhdueshëm, kjo linjë ofron tashmë një shërbim dinjitoz për qytetarët.

“E pranoj se kjo është një nga linjat më funksionale në Tiranë, edhe për faktin se ka një proporcion të barabartë mes autobusëve normalë dhe atyre fizarmonikë, çka na ndihmon për fluksin e mëngjesit. Fluksi i orës 07.30-08.00 është një fluks i cili, për qytetin tonë, paraqet një problematikë që mund të zgjidhet vetëm duke shtuar numrin e autobusëve”, tha kryetari Veliaj. Por, për të ndihmuar lehtësimin e lëvizjes në orët e mëngjesit, ai bëri të ditur se po shikohet mundësia edhe për një koordinim me institucionet e tjera, në mënyrë që jo të gjithë punonjësit të nisin punë në të njëjtin orar. “Po mendojmë edhe për zgjidhje të tjera, pra si mund që me disa nga institucionet punëdhënëse të koordinojmë oraret, ku jo çdo institucion të fillojë punë në të njëjtin orar. Kjo na jep mundësi që ta sfazojmë pak fluksin e mëngjesit, duke e ndarë në disa fasha orare”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj theksoi se shërbimi i transportit publik në Tiranë po ndryshon dhe për këtë i’u referua sondazhit të para disa ditëve, të kryer në të gjitha linjat e autobusëve me qytetarë të ndryshëm. “Shërbimi është si dita me natën me ç’ka qenë. Para një viti, 90% e udhëtarëve mendonin se shërbimi ishte skandal, vetëm 10% mendonin mirë. Kurse sot është 50-50; pra 50% e qytetarëve mendon se është shumë më mirë, e megjithatë e mira s’ka fund. Do të punojmë që 100% e qytetarëve të tregojnë se janë të kënaqur me mënyrën se si po shërbehet në Tiranë. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse të gjithë bashkëpunojmë”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se operatorët do të vijojnë të monitorohen me rreptësi, jo vetëm nëpërmjet inspektorëve në terren, por edhe nëpërmjet përdorimit të teknologjisë. “Unë besoj se frika është ajo që e ruan vreshtin, ndaj jo vetëm që do të vazhdojmë me kontrollet e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, por po vendosim edhe sistemin GPS, që të kemi mundësi të kontrollojmë në kohë reale ku ndodhen ekzaktësisht autobusët, si po shërbejnë dhe sa e kanë frekuencën”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve përdorues të transportit publik që të ndihmojnë në përmirësimin e situatës, jo vetëm duke respektuar normat e sjelljes në autobusë, por edhe duke informuar bashkinë për çdo parregullsi dhe shkelje të etikës nga operatorët e këtij transporti. “I kemi disa dhjetëra inspektorë në terren, por do ishte mirë që si inspektorë të kishim 200 mijë pasagjerët e përditshëm të transportit publik në Tiranë. Mënyra se si ata mund ta bëhen ‘inspektorë’ është duke telefonuar 0800-0888, të na japin targën e autobusit dhe problematikën përkatëse, ose duke e raportuar në aplikacionin ‘Tirana Ime’. Është e vetmja mënyrë se si e transformojmë çdo udhëtar në një inspektor dhe partner të Bashkisë së Tiranës, për ta bërë ‘zap’ situatën e transportit publik”, tha ai.

Linja Kombinat-Kinostudio është një nga linjat më të mira të qytetit. Ajo ka një inventar prej 34 mjetesh. Me investimet e reja është parashikuar që gjysma e mjeteve të jenë të llojit fizarmonikë. Mjetet që aktualisht janë fizarmonikë do të ndryshohen gradualisht, për të futur mjete të një standardi më të mirë. Gjithashtu, në autobusët ekzistues është instaluar sistemi GPS për të monitoruar dhe për të parë në kohë reale situatën se si funksionon linja.

Temat
LajmeRajon

Të afërta