A do të shërbejë takimi Trump-Netanyahu për të nxitur një zgjidhje mes Izraelit dhe palestinezëve?

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, viziton sot Uashingtonin, që tashmë ka një president të ri, Donald Trump. Marrëdhënia e tij e ftohtë me pararendësin Barack Obama tashmë është e njohur, dhe deklaratat elektorale të zotit Trump në mbështetje të Izraelit krijuan pritshmëri të reja për zotin Netanyahu. Por, disa deklarata të fundit të Presidentit Trump mund ta kenë futur në mendime kryeministrin izraelit.
Ndërsa nisej drejt Shteteve të Bashkuara për takimin e tij të parë me Presidentin Trump, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, shmangu pyetjen nëse ai ende mbështet zgjidhjen me dy shtete, mes Izraelit dhe palestinezëve.

Një ligj i sapo miratuar nga parlamenti izraelit për legalizimin e kolonive izraelite në toka palestineze në Bregun Perëndimor po dënohet nga palestinezët dhe ndërkombëtarët.

Presidenti Trump i tha javën e kaluar një gazete izraelite se kolonitë “nuk e ndihmojnë procesin”.

Gjithashtu, në një deklaratë të mëparshme të Shtëpisë së Bardhë thuhej se ndërtimi i kolonive të reja, apo zgjerimi i kolonive ekzistuese, mund të mos ndihmojnë për arritjen e paqes.

“Mendoj se palestinezët do ta ndjekin takimin me shumë kujdes për të pikasur ndonjë shenjë ndryshimi thelbësor të politikës amerikane. Ata vërejnë shenja në mënyrën se si presidenti u referohet kolonive, kështu që ekziston disi ankth për mënyrën se si do të zhvillohen ngjarjet”, thotë Ambasadori Richard Lebaron, i Këshillit të Atlantikut.

Disa analistë thonë se Netanyahu duhet të gjejë mënyrën për të kënaqur kërkesat territoriale të së djathtës ekstreme izraelite për Bregun Perëndimor, transmeton VOA.

“Kryeministri duhet të arrijë një lloj mirëkuptimi rreth situatave të paqëndrueshme të konfliktit Izrael – Palestinë dhe kolonive, në mënyrë që të ketë arritur diçka që t’i bëjë ballë presionit kur të kthehet në shtëpi”, thotë Robert Satloff, i Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

E megjithatë bëhet thirrje për kujdes në krijimin e pritshmërive me vendin më të rëndësishëm aleat.

“Pa dyshim që ka pritshmëri më të ulëta pasi vërtet Trump nuk ka ende një ekip të tijin. Prandaj është më e lehtë për të që vetëm të dëgjojë”, thotë David Makovsky, i Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

Megjithëse Presidenti Trump ka shprehur synimin për të ndihmuar paqen ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, ai nuk ka dhënë shumë tregues simpatie për aspiratat e palestinezëve. Gjithashtu, deklaratat e tij më të fundit kanë ravijëzuar një pozicion jo aq të prerë, duke ia vështirësuar zotit Netanyahu hapësirat e manovrimit politik në vendin e tij.

Temat
BotëLajme

Të afërta