Republika e tretë, po!

Shkruan: Visar Berisha

Këtë rithemelim mbiideologjik të Republikës mund ta bëjnë vetëm pasionantë të politikës. Që kanë nerv qytetar. Model europian. Të shkëputur nga uragani korruptiv që shoqëria po e mban mbi kurriz. Të penduar. Të tillë që e njohin Republikën si atdheun e vetëm. Laikë. Besimplotë. Mbrojtës të lirive themelore. Liberalë. Ithtarë të pushtetit të deleguar. Legalistë. Ëndrrimtarë. Feministë. Të dashuruar

Të qeverisurit në këtë vend kërkon rekonstruksion, organik dhe konceptual. Sado vullnet i çeliktë dhe dije e bollshme të ketë, ky rekonstruksion nuk kryhet vetëm. Do gjithëpërfshirje, pikësëpari vullnetesh, për ta nisur një proces të tillë, por mbi të gjitha besimesh se kjo detyrë e vështirë do na ndajë nga e kaluara. Gjithëpërfshirja është edhe garantuese e kontrollit të dëshirës për ta keqpërdorur pushtetin (mbi Republikën).

Nevoja për ta rithemeluar Republikën vjen nga nevoja për ta përmbysur pabarazinë! E cila ka gjetur hapësirë legale për ta mbajtur gjallë atë pabarazi. Republika në të cilën jetojmë sot ka dy probleme themelore politike dhe një problem ekonomik, që në fund të trija dalin si probleme lirie. Të gjitha këto vijnë për shkak të degradimit moral dhe paaftësisë për ta themeluar Republikën vetë. Me fjalë të tjera, ne Republikën e shohim si aheng në të cilin jemi të ftuar, nuk paguajmë, dehemi dhe në fund sërish i kthehemi batakut tonë.

Problemi i parë (politik) është ai i korruptimit moral të kultivuesve të demokracisë brenda Republikës. Ky problem ka thelluar hendekun e pabarazisë. Këtu nuk kanë faj postulatet demokratike mbi të cilat kjo Republikë qëndron, por amoraliteti politik me të cilin funksionaliteti i saj po rrënohet. Pra, ne kemi problem me njeriun e Republikës, jo me sistemin e saj. Pasi demokracia fillon te numrat, mbahet nga morali dhe përfundon me nënshtrimin ndaj të drejtës!

Problemin i dytë nuk varet kryekëput nga njeriu i Republikës, por më shumë nga paaftësia jonë si komb ta mundim hegjemoninë serbe kundër dhe brenda Republikës. Serbia ka interesa vitale të penetrojë brenda sistemit funksional të Republikës dhe ta bëjë të pafuqishëm atë. Është interes jetik i saj. Ky do të jetë një problem serioz dhe afatgjatë i yni. Dialogu në Bruksel është dialog edhe për modelin e Republikës sonë.

Prandaj, duhet të çmontohet morali me të cilin udhëhiqet Republika dhe ta mbrojmë fort ndarjen e pushteteve. Ta zvogëlojmë nevojën që shteti të rregullojë çdo pore të jetës si dhe ta decentralizojmë atë. Të kemi pushtet komunitar, pra zbritje të demokracisë poshtë.

Problemi ekonomik (i lirisë së saj) është pafuqia për të kaluar te një shoqëri e mirëqenies. Për shkak të pabarazisë sociale, arsimimit diskriminues dhe shërbimeve shëndetësore të dobëta. Krejt këto i mbyllin në një qark tregjet e deformuara. Duhet të garantojmë lirinë e tregjeve. E tregjet për t’u zhvilluar kërkojnë afidabilitet (besim)! Besimi vjen nëse shteti i garanton kontratat. Po ashtu, ky besim ushqehet kur shteti arbitron ndershëm interesat lobiste të grupeve të interesit, qofshin ato kur vijnë nga politika, korporata apo instrumente dytësore në dorën e këtyre të dyjave. Modeli i kapitalizmit duhet të ribëhet. Duke garantuar pa kompromis lirinë e individit, të drejtat dhe pronën, solidarësinë dhe arbitraritetin (arbitrazhin?) e ndershëm.

Veç kësaj, na duhet një patriotizëm qytetar, që mbron individualitetin si njërin nga pasuritë më dobiprurëse të kësaj shoqërie. Ky lloj patriotizmi duhet ta materializojë barazinë si njërën prej burimeve më të plleshme (bashkë me drejtësinë) të mundësive të barabarta, për të gjithë. Si dhe qytetari aktive që si kurrë më parë të jetë e gatshme të heq dorë nga militantizmi i vet në funksion të një zgjidhje çliruese, e cila i pensionon pengmarrësit politik në shoqërisë tonë.

Por këtë rithemelim mbiideologjik të Republikës mund ta bëjnë vetëm pasionantë të politikës. Që kanë nerv qytetar. Model europian. Të shkëputur nga uragani korruptiv që shoqëria po e mban mbi kurriz. Të penduar. Të tillë që e njohin Republikën si atdheun e vetëm. Laikë. Besimplotë. Mbrojtës të lirive themelore. Liberalë. Ithtarë të pushtetit të deleguar. Legalistë. Ëndrrimtarë. Feministë. Të dashuruar.

Urime Shën Republika!

Visar K. Berisha

Temat
Opinione

Të afërta