Presidenti Thaçi: Gazetarët në Kosovë, ndër më të guximshmit në rajon (VIDEO)

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Konferencën Regjionale për sigurinë e punës së gazetarëve, të organizuar nga OSBE-ja.

Presidenti Thaçi ka thënë se gazetaria në Kosovë ndoshta nuk është më e vjetra për nga tradita, por është ndër më të guximshmet në rajon.

“Gazetarët në Kosovë kanë qenë ndër të parët që janë angazhuar për pluralizëm, për demokraci, për barazi, për të drejta të njeriut dhe për liri të shprehjes. Ndërsa, që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë bërë përpjekje të mëdha që të instalohet një gazetari profesionale, e besueshme dhe gjithmonë në shërbim të publikut”, është shprehur presidenti Thaçi, raporton “Zeri.info”.

Presidenti ka thënë se kemi pasur dy rrethana të rëndësishme që kanë rezultuar me gazetari të guximshme.

“E para, në Kosovë, gazetaria e lirë, e mirëfilltë, ka filluar në kohën e represionit dhe aparteidit. Ndër të parët që janë përballur me represionin dhe përpjekjen për të ndalur zërin që kërkonte drejtësi e barazi kanë qenë pikërisht gazetarët. Në këto rrethana është farkëtuar guximi për t’u përballur me pushtetin, çfarëdo qoftë ai. Por, edhe janë kultivuar vlerat si paanshmëria, profesionalizmi, zelli për të hulumtuar dhe për të kërkuar informatën e saktë, si dhe guximi për të publikuar çdo informatë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, kjo ka pasur çmimin e vet, sepse gazetarët gjithmonë kanë qenë në thumb të atyre që me dhunë dhe me represion kanë kërkuar të instalojnë politikat e tyre.

“Janë sulmuar, janë dhunuar, janë kidnapuar dhe janë vrarë. Ka ende gazetarë që janë të zhdukur, që nga lufta”, ka thënë ai.

E dyta, sipas presidentit Thaçi, pas luftës në Kosovë kemi pasur përkrahje të madhe ndërkombëtare në ndërtimin e një gazetarie profesionale, të standardeve më të larta.

“Ka qenë vetë misioni i OSBE-së që ka udhëhequr përpjekjet për një gazetari profesionale në Kosovë. Është punuar në trajnimin e gazetarëve dhe mediave në përgjithësi, qoftë në kuadër të studimeve për gazetari në Universitetin e Prishtinës, qoftë përmes trajnimeve për gazetarët ekzistues. Është përkrahur formimi i organizatave që mbrojnë gazetarët, të drejtat e gazetarëve, por edhe organizatat që mbrojnë vetë profesionin e gazetarëve. Është përkrahur krijimi i legjislacionit që mbron punën e gazetarëve, si dhe vetë gazetarët”, është shprehur presidenti Thaçi, raporton “Zeri.info”.

Ai ka thënë se gazetarët në Kosovë janë të mbrojtur me ligj në punën e tyre.

“Jo që nuk mund të dënohen për punën e gazetarit, por madje, në Kosovë, gazetarët edhe në gjyq nuk janë të obliguar t’i zbulojnë burimet e tyre. Kjo është bërë me qëllim që të mbrohet sa më shumë kredibiliteti, integriteti dhe profesionalizmi i gazetarisë si profesion”, ka thënë presidenti Thaçi.

Drejtpërdrejt nga Konferenca Regjionale për sigurinë e punës së gazetarëve, e organizuar nga OSBE-ja

Posted by Zeri on Dienstag, 14. Februar 2017

Temat
LajmeRajonVend

Të afërta