McCain: Administrata Trump ashiqare s’po funksionon

Senatori John McCain, kryetar i Komitetit për Forcat e Armatosura i Senatit, deklaroi se dorëheqja e këshilltarit të presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare është një tregues shqetësues i mosfunksionimit të aparatit aktual të sigurisë kombëtare.

McCain, republikan i Arizonas, i cili ka qenë përherë një kritik i rreptë i Trumpit, theksoi gjithashtu se dorëheqja e gjeneralit në pension, Michael Flynn, lidhur me dyshimin se dhjetorin e kaluar kishte diskutuar çështjen e sanksioneve me ambasadorin rus, ”ngre pikëpyetje të tjera mbi qëllimet e administratës Trump ndaj Rusisë së Vladimir Putinit”.

McCain ngul këmbë se ”SHBA-ja duhet t’i mbajë sanksionet ndaj Rusisë për aq kohë sa kjo e fundit do të vazhdojë të shkelë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, përcjell Atsh.

Michael Flynn, këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, i akuzuar për kontakte të papërshtatshme me Rusinë kur presidenti Obama ishte në detyrë, dha dorëheqjen dje në mbrëmje, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Michael Flynn pranoi se “për shkak të pakujdesisë ka mashtruar zëvendëspresidentin Mike Pence dhe persona të tjerë me informacione jo të plota mbi bisedat e tij telefonike me ambasadorin e Rusisë”.

“Gjenerali në pension Joseph Kellogg do të garantojë përkohësisht këtë pozicion”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Temat
BotëLajme

Të afërta