Ministri i Arsimit viziton shtëpinë ku diplomuan 10 gjenerata të gjimnazit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, dhe ministri i Diasporës, Valon Murati, kanë vizituar shtëpinë-shkollë në Kodrën e Trimave, të pronarit Mehmet Aliu – Hertica.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar lart kontributin e familjes së pronarit Mehmet Aliu, i cili objektin e shtëpisë së tij e shndërroi në shkollë, në të cilën patën diplomuar dhjetë gjenerata të gjimnazit “Sami Frashëri”, thuhet në komunikatën për media.

“Është një akt madhor i kësaj familjeje, e cila kishte vendosur që hapësirat e veta familjare dhe tërë familjen ta vërë në përkushtim të mbrojtjes së shkollave shqipe. Nuk do të ishim të lirë dhe të pavarur po të mos ishte kjo rezistencë dhe këta veprimtarë, të cilët mundësuan mbijetesën e arsimit shqip,
arsim ky i cili nuk kishte për qëllim vetëm shkollimin, por edhe përgatitjen e gjeneratës së re për luftë çlirimtare”, është shprehur ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ka thënë se Qeveria e Kosovës do të bëjë restaurimin e këtij objekti, i cili do të jetë muze i mbijetesës së arsimit në gjuhën shqipe në kohën e okupimit.

Temat
LajmeVend

Të afërta