Katër ditë pas zhdukjes së 47-vjeçarit Jani Vrushaj, në Urën Vajgurore, familjarët e tij kanë nisur kërkimet në lumë për gjetjen e trupit.
Gjetja e xhaketës së tij në lumë dhe disa gjurmë të verifikuara në breg hedhin dyshimet se baba i dy fëmijëve mund t’i ketë dhënë fund jetës duke u mbytur.
Familjarët janë mbledhur këtë të premte dhe po kryejnë kërkimet, ndonëse me vështirësi për shkak se po veprojnë me mjete rrethanore.
Vjehrri i Vrushaj, Vasil Kanaçi shprehet se policia, edhe pse është njoftuar për zhdukjen e tij që prej së martës, ende nuk ka siguruar asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij.
“Kemi nisur kërkimet tona në lumë, pasi këtu kemi gjetur xhaketën e tij dhe kemi mësuar se për herë të fundit është parë në këtë vend. Unë kërkoj që të vijnë polumbarët dhe të nisin kërkimet”, tha Kanaçi për “T.ch”.
Vrushaj mbërriti mëngjesin e së hënës në Shqipëri nga Greqia, ku jetonte dhe punonte së bashku me familjen e tij. Ai duhet të shkonte në shtëpinë e vjehrrit të tij në fshatin Poshnje, por nuk arriti kurrë atje.

