Avokati i Popullit: Ligji për kundërvajtje, antikushtetues

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se ligji i ri për kundërvatje përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

“Ligji për kundërvatje që ka hyrë në fuqi nga ky muaj është kontestues për ne për faktin që të gjitha rastet për kundërvajtje tash e tutje nuk do të trajtohen në Gjykatën për Kundërvatjje, por tek organi administrativ që është pjesë e ekzekutivit që sipas neve përmban shkelje të të drejtave të njeriut”.

Jashari në intervistën për Ballë për Ballë në Klan Kosova, ka treguar edhe disa shembuj të vendeve evropiane të cilat Gjykata Evropiane e Strasburgut i kishte konsideruar që janë në shpërputhje me të drejtat e njeriut.

“Ky ligj lidhet kryesisht me qasjen në gjykatë që është e drejtë e garantuar edhe me Kushtetutë edhe me standarde ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ky proces me ligjin e ri e shkel këtë parim që në Gjykata e Strasburgut e ka vendosur dhjetëra herë. Rasti i fundit ka qenë kundër Gjermanisë”.

“Gjykata Evropiane e Strasburgut e ka qartësuar se kjo përban shkelje të të drejtave të njeriut”.

Sipas avokatit të popullit ky ligj është kundër kushtetues, pasi shkel parimin e ndarjes së pushteteve.

“Në këtë rast ky parim themelor është shkelur, tani vendimet merren nga organet ekzekutive dhe nuk kanë tipare të një gjykate ose tribunali si kërkohet nga Gjykata Evropiane e Strasburgut”.

Jashari tha se për këto shkelje e kishin paralajmëruar edhe Kuvendin, kohë para se të miratohej, mirëpo nuk kishin marr parasysh vërejtjet.

“Kemi vërejtur këto lëshime dhe kemi kontaktuar Kuvendin, u kemi dërguar edhe Komisioneve, por nuk janë marr përsipër këto vërejtje, nuk kanë dhënë arsye pse dhe nuk janë përgjigjur ndaj raportit. Kemi qenë në Kuvend, por përfundimisht është miratuar dhe nuk është marr në konsideratë dhe nuk ka mbetur tjetër përpos ta dërgojmë në gjykatë”.

Duke mos dashur të flasë për vendimin që Gjykata Kushtetuese mund të marr, Jashari beson që ata e kanë argumentuar shumë mirë që ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut.

“Ne të gjitha argumentet i kemi prezantuar në këtë kërkesë e nuk besoj që ka asnjë argument tjetër që do të mund të vinte në dilemë këto argumente”.

Temat
LajmeVend

Të afërta