Filluan përgatitjet për shfaqjen “Martir” në Teatrin e Gjakovës

Sot, në Teatrin e Gjakovës filloj punën projekti i ri teatror, i pari për vitin 2017. Është fjala për dramën “Martir” të dramaturgut gjerman Marius von Mayenburg, në regji të Fatos Berishës.
Për dramën

Drama kontraverse ‘Martir’ nga autori gjerman Marius von Mayenburg flet për jetën e një djali të ri Benjamin Sinclair që përqafon fundamentalizmin e krishterë, duke i turbulluar jetët e të rriturve të pafuqishëm rreth tij.

Si një bombë me sahat, tregimi i Benjamin-it është shqetësues për publikun. Por, njëkohësisht edhe tregim sfidues dhe tërheqës, jo vetëm për audiencën e re, dhe reflekton më së miri konfuzionin e botës sot, ku presioni i të qenit politikisht korrekt, tolerant ndaj paragjykimeve ndeshet me debatin e pafund rreth religjionit, dogmës dhe shkencës.

Drama e Mayenburg-ut nuk është vetëm një thumbim cinik për fobinë ndaj radikalizmit fetar në botën perendimore. Drama në mënyrë groteske shpalosë frikën universale nga ‘të tjerët’, si një konstante e pavetëdijshme të shoqërive që supozohen të jenë tolerante.

Sinopsis i shkurtër

Benjamin Sinclair refuzon të vijon mësimet e notit. Ai bën publike qëndrimet e tij fetare-krishtere. Refuzon zdeshjen në pishinë dhe përqesh teorinë e evolucionti të Darvinit. Sjellja e tij provokuese turbullon tërë shkollën, mësuesit dhe shokët e tij të klasës. Gjersa prifti i shkollës e sheh këtë si gjë pozitive, mësuesja e bilogjisë Erica Ëhite konfrontohet me Benjaminin duke debatuar mbi dogmën e fesë me argumente të shkencës. Gjersa shoqja Lydia e sfidon seksualitetin e tij të mbyllur me zor, Benjamini manipulon shokun e tij George për t’iu kundërvy mësueses. Urrejtja e tij ndaj mësueses Erica së biologjisë shkon deri në tentimin e eliminimit të saj.

Për autorin

Marius von Mayenburg është dramaturg bashkëkohor gjerman, autor i 16 dramave. Vepra MARTIR eshte shkruar në vitin 2012, ndërsa vu në skenë për herë të parë në gjuhën angleze në vitin 2015 në Unicorn Theatre në Londër.

Për regjisorin

Regjisori i shfaqjës Fatos Berisha, edhe në tri shfaqjet e tij paraprake ‘Shopping and Fucking’ nga Mark Ravenhill, ‘#2015’ (Kjo është rinia jonë) nga Keneth Lonergan dhe ‘Psikozë n’4:48’ nga Sarah Kane, trajton autorë bashkëkohorë dhe tema sociale.

Për ekipin e shfaqjes

Në shfaqje luajnë një kastë e aktorëve të gjeneratave të ndryshme nga Gjakova, si: Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Ahmet Bakija, Myrvete Kurtishi, Ylber Mehmeti, Muradije Muriqi, Arbies Komoni dhe Yllka Lota. Skenografia Petrit Bakalli, asistent regjie Butrint Pasha etj.

Premiera e shfaqjes “Martir” pritet të jetë gjatë muajit mars.

Temat
ArtVend

Të afërta