Malisheva në përkrahje të Ramush Haradinajt

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Komuna e Malishevës kanë mbajtur sot një marsh protestues, kundër arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në këtë marsh, u kërkua lirimi i Haradinajt, si dhe u kërkua nga institucionet vendit që ta ndërpresin dialogun me shtetin serb, deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe heqjen e akuzave ndaj çlirimtarëve.

Me këtë rast, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e “NISMA për Kosovën”, Enver Hoti, tha se “Ramush Haradinaj, është vet liria”.

“Shprehim indinjatën tonë për arrestimin e Ramush Haradinajt, ndaj të cilit përfundimisht në vitin 2012, në Hagë, është vërtetuar se lufta e tij dhe e UÇK-së, ka qenë çlirimtare dhe e pastër. Ne ju bëjmë thirrje Francës dhe INTERPOL-it, që të mos bien në kurthet e mashtrimeve serbe”, tha mes tjerash deputeti Hoti.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj, pasi i falënderoi qytetarët e Malishevës, për mbështetjen e dhënë, tha se “Ramushi, Fatmir Limaj, Lahi Ibrahimaj dhe të tjerët, e kanë dëshmuar pastërtinë e luftës dhe se ata vet, janë të pafajshëm”.

“Deri kur kështu do të ndiqen ata që vunë gurëthemelin e shtetit të Kosovës. Nuk guxon askush të luaj me luftëtarët e lirisë, siç është njeriu që dha gjithçka për lirinë e vendit. Andaj, ne i themi Francës, që të mos bie pre e urdhrave serbe”, tha Lekaj, i cili në fund tha se “Kosova është e varfër pa Ramushin, pasi Ramushi është vet Kosova”, transmeton Klan Kosova.

Temat
LajmeRajonVend

Të afërta