Maqedonia aspak nuk kujdeset për të drejtat e të burgosurve

Gjendja në burgjet e Maqedonisë vazhdon të jetë alarmante. Kushte minimale si, higjiena në vendet ku ushqehen, nevojtoret dhe deri te vendi i gjumit.

Këto janë vetëm disa faktorë që ndikojnë në privimin e të të burgosurve për të qenë më të rehat në vendin ku ata vuajnë dënimin. Dhe jo vetëm kaq, nga ana e mediumeve u publikaun lajme se për një kohë të shkurtër, në burgun e Idrizovës vdiqën tre të burgosur si shkak i mos trajtimit të duhur. Telegrafi Maqedoni ka arritur të kontaktojë me disa të burgosur të Idrizovës dhe të Tetovës, të cilët kërkuan që të ruhet anonimiteti i tyre për shkak se u bëhet problem nga ana e gardianëve.

Në lidhje me këtë çështje Telegrafi ka kominikuar me mjekun e përgjithshmëm Liridon Disha dhe profesorët universitar dhe jurist si Besa Arifi dhe Bekim Kadriu, se çfarë detyrime ka shteti ndaj të burgosurve.

I burgosuri nga burgu i Idrizovës për Telegrafi Maqedoni thotë se kushtet janë katastrofale dhe sidomos tani në temperatura të ulëta mezi jemi ngrohur.

”Kushtet ku të burgosurit shqiptarë janë në këto burgje të këtij shteti të fëlliqur janë shumë të këqija. Ne si të burgosur shqiptarë nuk kemi as kushte për mjekim. Ilaçet dhe ushqimet na sjellin familjarët. Kemi kushte mizore, nënpunësit janë të korruptuar dhe kërkojnë ushqime nga ne. Tani në temperatura të ulëta nuk ka as nxemje. Nevojtoret nuk janë riparuar dhe frikësohem se mos infektohem nga papastërtia e madhe. Nuk e di çfarë të them, nuk bëhet më keq”, kështu ankohet i burgosuri në burgun e Idrizovës që kërkoi të mbetet anonim.

Profesori universitar, Bekim Kadriu, thotë se edhe pse personat e burgosur privohen nga liria ata kanë të drejtat e tyre.

‘Të burgosurit edhe pse ata supozohet se kanë kryer ndonjë vepër penale dhe janë të privuar nga liria me vendim gjyqësor, ata megjithatë kanë të drejtat e tyre. E drejta e parë është e drejta e jetës. Pra, ata nuk mund të privohen nga jeta duke qenë në burg. Liria tjetër, që është shumë e rëndësishme dhe fatkeqësisht shumë shpesh shkilet te të privuarit nga liria, është liria nga tortura. Nuk guxon të torturohet ose të sillen në një gjendje që do të ndikonte në një sjellje ç’njerëzore, degraduese dhe jo humane. Në këto raste, mund të ketë indicie, se ka shkelje të këtyre dy lirive, përkatësisht të të drejtave, liria nga tortura dhe e drejta e jetës, që rezulton me vdekjen e tyre. E drejta në jetë dhe liria nga tortura për shtetin krijojnë detyrime. Pra, shteti jo vetëm që duhet ta respektojë të drejtën e jetës dhe lirinë nga tortura, por duhet të merr masa dhe t’i mbrojë ato sepse ke persona që janë privuar nga liria që janë në gjendje të keqe shëndetësore. Obligimi i shtetit është të ofrojë ndihmë mjekësore. Mos ofrimi i ndihmës mjekësore që rezulton me vdekje, do të thotë përgjegjësi për shtetin për privim nga jeta. Keni persona që janë të varur nga droga, poashtu edhe ata kanë të drejta e tyre, duhet tu jepet terapi e caktuar, metadon dhe kështu me radhë. Pastaj kushtet nëpër burgje që është konstatuar se janë të mjerueshme. Kushtet mund të rezultojnë, për shembull, mund të ketë infektime, bakterie të ndryshme që mund të rezultojnë me vdekje, ku poashtu edhe kjo mund të jetë përgjegjësi e shtetit.”

”Tani në këto raste kur kemi vdekje të personave të burgosur, më e pakta që mund të bëhet është që të inicohet një hulumtim të pavarur apo një hetim të pavarur dhe të investigohet rezultatin se çfarë ka qenë privimi nga jeta. A bëhet fjalë për lëshim nga ana e shtetit dhe dikush duhet të përgjigjet për atë. Madje mund të ketë raste kur personi qëllimisht vritet duke qenë në burg. Çdo mos hetim, e bart përgjegjësinë te shteti për cenimin e së drejtës”, vlerëson profesori universitar.

Temat
LajmeRajon

Të afërta