Brukseli kundër zgjedhjeve të reja në Maqedoni

Ndërmjetësuesit për zgjidhjen e krizës në Maqedoni, eurodeputetët Vajgëll dhe Flekenshtejn porositën se zgjedhjet e reja nuk do të jenë të dobishme për vendin.

Pas dështimit të Gruevskit, përfaqësuesit evropianë vlerësojnë se shansi për formimin e qeverisë duhet ti jepet partisë së dytë për nga numri i mandatave, ashtu siç është praktikë në të gjitha vendet demokratike.

Për deputetin slloven Vajgëll zgjedhjet e reja kërcënojnë thellimin e krizës dhe destabilizimin e vendit.

“Për Maqedoninë në këtë moment opsioni më kundërproduktiv do të ishte të shkojë në zgjedhje të reja. Një gjë e tillë do të shkaktonte sërish ndarje që çuan më herët në përpilimin e Marrëveshjes së Përzhinës si dhe aktivizimin e institucioneve të ndryshme në nivel evropian për ta ndihmuar Maqedoninë drejt stabilizimit dhe vendosjes së dialogut të brendshëm politik. Zgjedhjet sjellin paqartësi, humbje forcash, humbje kohe. Unë mendoj se duhet të shfrytëzohen mundësitë normale që një shoqëri dhe shtet demokratik i ka. Nëse nuk ka pasur suksese njëri mandatar shansi duhet ti jepet mandatarit tjetër”, tha Ivo Vajgëll, eurodeputet.

Në vijë të njëjtë edhe eurodeputeti gjerman Knut Flekenshetjen. Sipas tij nëse vendi shkon në zgjedhje të reja do të humb shumë kohë për zbatimin e reformave urgjente dhe krijimin e një qeverie stabile.

“Në shtetin tim nëse njëri dështon grupi i dytë më i madh merr shansin. Sepse fillimisht të gjithë duhet të shohin nëse koalicionet janë të mundshme për të siguruar shumicën që do ta udhëheq shtetin. Por të provosh vetëm njërën mundësi dhe pastaj ta ndalosh lojën kjo nuk është normale në shtetin tim. Të gjithë e dimë se një fazë e re fushatash për disa muaj do të thotë humbje shtesë prej disa muajsh për përmbushjen e reformave të nevojshme, për një qeveri stabile. Por nëse është e nevojshme ata duhet ta bëjnë një gjë të tillë, por mendoj se fillimisht duhet të përpiqen në çdo mënyrë të formojnë qeveri stabile dhe për momentin me sa jam unë i informuar vetëm një pjesë e përpjekjeve janë bërë në këtë drejtim”, u shpreh Knut Flekenshtejn, eurodeputet.

Edhe Komisioni Evropian një ditë më parë porositi presidentin Ivanov që sa më shpejt të caktojë mandatar të ri për formimin e një qeverie stabile. Sipas KE-së përbërja e re qeveritare duhet të jetë e gjerë dhe të mbështetet në konsensus të fuqishëm reformues dhe bashkëpunim ndëretnik.

Temat
LajmeRajon

Të afërta