Krasniqi: Vendet perëndimore duhet t’i përcjellin me kujdes kërcënimet e liderëve serbë ndaj Kosovës

Mungesa e konflikteve të armatosura nuk nënkupton me automatizëm paqen. Thotë ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Duke marrë shkas nga ato që Krasniqi i ka cilësuar kërcenime të reja qeveritare e fetare serbe, njëri prej drejtuesvë të NISMA’s, thotë se perendimi duhet t’i percjellë me kujdes këto deklarime të drejtuesve serbë ndaj Kosovës.

Ky është reagimi i Jakup Krasniqit:

TOLERANCA E PA FRE NUK I KONTRIBUON PAQES

Shkas kercenimet e reja te qeveritareve e fetareve serbe
Dihet fare mirë se mungesa e konflikteve të armatosura nuk nënkupton me automatizëm paqen. Kosova ka qenë dhe është e interesuar për paqe të drejtë. Por paqa e drejtë nuk mund të ndërtohet pa ndëshkimin e atyre që kryen gjenocidin në Kosovë. Jam plotësisht i vetëdijshëm se strukturat politike të regjimit aktual të Beogradit janë larg njohjes së krimeve që shteti i tyre u ka shkaktuar shqiptarëve dhe larg angazhimeve që përgjegjësit e krimeve të dalin para drejtësisë. Për këtë arsye, ndërtimi i paqes së drejtë në këtë pjesë të Evropës ende nuk shihet në horizontin politik. Përkundrazi. Logjika e vjetër mbisundon në institucionet e reja të shtetit serb. Këtë e dëshmoi së fundmi kërcënimet që Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, i bëri më 12 tetor 2016 « se Serbia është e gatshme të sillet me shqiptarët e Kosovës në të gjitha mënyrat e mundshme ». I njëjti me 27 korrik 2006, sa zhvilloheshin bisedimet në Vjenë pat kërcënuar me luftë, nëse Kosova merr pavarësinë.4)
Kam bindjen e plotë se për secilin nga ne që e kemi jetuar e përjetuar atë kohë barbare na është e qartë se logjika e vjetër serbe nuk mund të prodhojë asgjë tjetër pos kërcënimeve të reja! Kjo logjikë me bazë mitomane (shoviniste) serbe është pengesa kryesore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe rrezik për konflikte të reja edhe përtej hapësirave te ish Federatës Jugosllave. Kërcënimet e këtyre dite që vinin nga Serbia duke filluar nga Presidenti Nikoliq, Kryeministri Vuciq, Ministri i Armatës serbe Dikiq deri dhe i pari i Kishës serbe Irinej, duhet përcjell me kujdes nga vendet e demokracisë perëndimore.
Për këtë arsye, si toleranca e pa fre, inferioriteti dhe heshtja ndaj kësaj logjike luftënxitëse nuk i kontribuon as ndërtimit të një paqe të drejtë e as paqes së qëndrueshme. Askund më shumë në Evropë, sesa në vendet e Ballkanit nuk ka nevojë për një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Paqe e cila do të garantojë siguri, stabilitet, zhvillim e mirëqenie për të gjitha kombet e këtij rajoni. Për t’u krijuar ky realitet i ri, duhet një shkurorëzim i plotë i secilit komb nga politikat kërcënuese e luftënxitëse.

Temat
LajmeVend

Të afërta