Trump akuzon Obaman: Po e pengon transicionin

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump akuzoi sot presidentin në largim, Barack Obama për deklarata nxitëse dhe se po shkaktonte pengesa në zbatimin e kalimit të pushtetit.

“Po mundohem të jap më të mirën për të injoruar pengesat e shumta dhe deklaratat shpërthyese të presidentit Obama. Besoja se tranzicioni do të kryhej paqësisht. Por, jo!”, postoi në Twitter Trump, pa saktësuar përmbajtjen e këtyre vështirësive dhe as deklaratave të Obamës, së cilave u referohej.

Dy ditë pas zgjedhjeve, të dy figurat e politikës u takuan në Zyrën Ovale duke u sforcuar të linin mënjanë muaj të tërë të një fushate të tensionuar, duke vënë theksin në vullnetin e përbashkët për të ndërmarrë një tranzicion paqësor.

Barack Obama që pritet të lërë detyrën më 20 janar, u shpreh dje i sigurt se mund të kishte fituar një mandat të tretë nëse Kushtetuta do t’ia kishte lejuar të qënit sërish një kandidat i mundshëm, përcjell Atsh.

Nga ana tjetër, në dy postime të tjera në Twitter, Trump shprehu edhe një herë mbështetjen e tij ndaj Izraelit pas votës së të premtes në OKB që dënon vendbanimet e reja të shtetit hebre, përpara një fjalimi të sekretarit të Shtetit, Kerry për çështjen e Lindjes së Mesme.

Temat
BotëLajme

Të afërta