Teton të grabisë të moshuarin dhe qëllon në ajër, shpallet në kërkim i riu nga Mati

Një i ri është shpallur në kërkim nga Policia e Matit, pasi ka tentuar të grabisë me armë një të moshuar në lulishten e qytetit.

Ngjarja ka ndodhur pikërisht sot, kur në Komisariatin e Policisë Mat, R. Zh, 60 vjeç, banues në Tiranë, ka deklaruar se rreth orës 11:40, kur ka qenë i ulur në lulishten para Turizmit të qytetit Burrel, Bashkia Mat, ka parë një djalë të ri me një çantë në shpinë dhe një pistoletë në dorë.

Sipas deponimit të tij në polici, i riu i ka kaluar afër dhe ka qëlluar një herë në ajër, ndërsa i ka kërkuar 60 vjeçarit që t’i jepte lekët që kishte me vete. Mësohet se pas të shtënës, i riu është larguar menjëherë me vrap pa i marrë asnjë send.

Menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje ku nga kryerja e veprimeve dhe këqyrja e kamerave të një lokali rezultoi se i dyshuar është një i ri, banor i zonës me një pistoletë lodër që përdoret me kapsolla.

Po nga këqyrja e kamerave rezultoi se i riu nuk ka tentuar të detyrojë a ushtrojë dhunë e as ka patur kontakte fizike me denoncuesin. Dyshohet se i riu mund të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Policia po punon për kapjen e autorit, ndonëse për arsye hetimore nuk bëhet i ditur identiteti i tij.

Temat
LajmeRajon

Të afërta