Presidenti Thaçi dënon vrasjen e ambasadorit rus dhe sulmet tjera të mbrëmshme

Presidenti Hashim Thaçi ka dënuar vrasjen e diplomatit rus në Ankara dhe sulmet e mbrëmshme në Berlin dhe Cyrih.

“Sulmet në kryeqendrat evropiane janë sulme kundër civilizimit dhe vlerave që me shumë sakrificë janë ndërtuar. Është detyrë e të gjithë neve që t’i mbrojmë këto vlera, duke lënë një trashëgimi për brezat e ardhshëm”, shkruan Thaçi në facebook.

Tutje, Thaçi shkruar se “populli i Kosovës ndan dhimbjen me familjet, popujt dhe shtetet e Gjermanisë dhe Zvicrës për të vrarët dhe të plagosurit në sulmet në Berlin dhe në Cyrih”.

Njësoj i dënueshëm është edhe akti i vrasjes së diplomatit rus në Ankara, tha Presidenti kosovar.

“Diplomatët janë ura mes shteteve dhe kombeve, përmes punës së tyre për përmirësimin e komunikimit dhe mirëkuptimit mes popujve. Ata janë çelës i zgjidhjes së problemit e jo vetë problemi”, shkruan ai.

“Nuk mund të zmbrapsemi para dhunës, por duhet të qëndrojmë të fortë, të përgatitur dhe vigjilentë në angazhimin tonë për paqe dhe stabilitet”, përfundon reagimi i Presidentit Thaçi në facebook.

Temat
Botë

Të afërta