Tahiri: Me marrëveshjen për kodin telefonik, shuhen operatorët ilegal të Serbisë

“Shteti i Kosovës sot zyrtarisht ka marrë kodin telefonik +383 dhe kjo cilësohet si një arritje historike”, ka thënë ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Këto deklarata, Tahiri i ka thënë në një konferencë të mbajtur për medie. Ajo ka theksuar se nga ky kod Kosova do të ketë efekte të shumë anshme duke përfshirë edhe ekonominë, raporton lajmi.net.

Sipas saj, Kosova është pronare e këtij kodi i cili për qytetarët do të ofrojë shërbime të mira.

“Kosova do të ketë vetëm një kod dhe do të shuhen ata ekzistues. Po ashtu, qytetarët do të identifikohen me kodin e tyre shtetëror. Me këtë marrëveshje do të shuhen edhe operatorët ilegal të Serbisë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, koordinatori i delegacionit të Kosovës, Kreshnik Gashi, ka thënë se më këtë kod Kosova fiton identitetin shtetëror të komunikimeve.

“Ky kod do të jetë unik për telefonin fikse dhe mobile. Thirrjet me këtë kod do të jenë ndërkombëtare duke përfshirë edhe Serbinë. Kodi shtetëror do të ketë efekte të mëdha në vend. Do të ketë rritje të atraktivitetit për investime në fushën e telekomit”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, efektet ekonomike do të jenë milionëshe.

Gashi ka thënë se afatet kohore për implementimin e kodit dhe strategjia për telefonin fikse dhe mobile do të implementohet në një afat rekord.

E pyetur për vizitën e Gjuriqit në Kosovë, ministrja, Edita Tahiri nuk ka pranuar të përgjigjet me arsyetimin se konferenca është thirrur për të folur për kodin telefonik.

Tahiri ka thënë se veprimtaria e telefonisë mobile të Serbisë është lejuar për një kohë të shkurtër në mënyrë që Serbia të pranojë që Kosova të marr kodin e saj.

Sa i përket çështjes së sigurisë dhe përgjimeve ka thënë se ekzistojnë mekanizma që mund t’i zgjidhin këto probleme që mund të ndodhin. Ajo ka përmendur marrëveshjen e IBM-it.

Temat
LajmeVend

Të afërta