BE: Presim që ura e Mitrovicës të hapet në janar

Presidenca sllovake në emër të Këshillit të Ministrave të BE-së, ka ftuar autoritetet kosovare që sa më shpejt të implementojnë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe të bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale.

“Kosovës i bëhet thirrje që sa më shpejt dhe me mirëbesim të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, veçanërisht marrëveshjen për themelimin e Asociaiconit të komunave me shumicë serbe dhe në mënyrë konstruktive të angazhohet në formulimin dhe implementimin e marrëveshjeve të ardhshme me Serbinë”, thuhet në dokumentin e lëshuar pas takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, transmeton lajmi.net.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së, presidenca sllovake dhe ministrat evropianë kanë përshëndetur arritjen e pajtimin për implementimin e marrëveshjes për liri të lëvizjes dhe telekomunikacion, duke i vlerësuar ato si hap i rëndësishëm përpara në procesin e gjithëmbarshëm.

Njëkohësisht, ministrat evropianë presin që hapja e urës në Mitrovicë dhe marrëveshja për gjyqësinë të fillojnë të implementohen gjatë janarit të vitit të ardhshëm.

Këshilli i Ministrave, thekson se do të përcjellë zhvillimin e Kosovës në frymën e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë rrugët e tyre evropiane, pa bllokim të ndërsjellë në këtë rrugë.

Në këtë dokument, po ashtu përshëndetet fakti që Kosova i ka përmbushur obligimet lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale dhe u bëhet thirrje autoriteteve që të bashkëpunojnë me këtë Gjykatë.

Temat
LajmeVend

Të afërta