Tahiri: Shumë qytetarë janë provë e përditshme e përdhunimit brenda sistemit të drejtësisë

Në kuadër të risktrukturimit të Forumit të Gruas Socialiste, është zhvilluar sot Asambleja e zgjeruar e Forumit të Gruas Socialiste në Tiranë.

Kjo Asamble kishte në qendër të saj dëgjesën e kandidateve për kryetare të Forumit të Gruas së Tiranës.
Në hapjen e kësaj asambleje, kryetarja aktuale e Tiranës, njëkohësisht Sekretarja për Koordinimin Elektoral, Blerina Gjylameti shprehu falenderimet e saj për të gjitha anëtaret dhe punën e tyre të palodhur në këto vite.

Punë, kjo, e mbushur me sfida dhe suksese. “Vijmë në këtë mbledhje pas një riorganizimi kapilar që bëmë në çdo njësi për ringritjen e Forumit të Gruas Socialiste. Gjatë këtyre katër viteve që kam patur mundësinë të punoj me ju, jam ndjerë e privilegjuar dhe e vlerësuar, pasi kam parë tek ju besimin dhe angazhimin maksimal për përmirësimin e mëtejshëm të forumit tonë dhe të Partisë Socialiste.

Ne jemi në vitin e fundit të këtij mandati qeverisës, ku ju keni dhënë një kontribut të çmuar. Jam e bindur se ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë. Falë edhe mbështetjes dhe besimit tuaj, gjatë këtyre viteve të qeverisjes nën drejtimin e Partisë Socialiste, Shqipëria ka njohur një sërë reformash të rëndësishme. Partia Socialiste i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kujdesit ndaj grave dhe vajzave për heqjen e të gjitha barrierave të ngritura, si pasojë e diferencimit gjinor.

Është rritur numri i grave dhe i vajzave të përfshira në administratën shtetërore, por njëkohësisht kujdes i është kushtuar hartimit të politikave të cilat nxisin punësimin e tyre edhe në kompani private, qoftë përmes politikave fiskale, ashtu edhe hapjes së programeve për trajnimin dhe rritjen profesionale.

Kjo pasi ne besojmë në vlerat që gratë dhe vajzat mbartin, si dhe tek aftësitë që ato kanë për të performuar me rezultate të larta”, përfundoi Gjylameti.

Kryetarja e Forumit të Gruas, Olta Xhaçka, nuk la pa përmendur të gjitha nismat e këtij forumi në përfaqësimin sa më të gjerë të grave në politikë dhe vendimmarrje, ku më e rëndësishmja është nisma për një ndryshim në Kodin Zgjedhor, ku të sanksionohet që 50% e listës së kandidatëve për deputet të jenë gra.

“Kemi hyrë në një fazë të re të Forumit të Gruas Socialiste. Kemi shumë arritje në këto katër vite për të qenë krenare; është vizioni i PS dhe Edi Ramës për të gjitha këto arritje. Nuk është retorike që sot kemi 8 gra ministre. 50% të Këshillave Bashkiakë: gra. Në PS, 50% e delegatëve në Kongres janë gra. Të gjitha janë arritje të barazisë në vendimmarrje” – tha Xhaçka.

I ftuar në këtë asamble, i deleguari i kryesisë për Tiranën Saimir Tahiri vuri theksin tek rëndësia e reformës në drejtësi për t’i dhënë fund njëherë e mirë keqtrajtimit dhe përdhunimit brenda sistemit të drejtësisë.

“Dua të ndaj me ju disa çështje konkrete, që kanë të bëjnë me çka kemi bërë deri tani, çka do bëjmë dhe çka presin qytetarët nga ne. Realisht kemi shumë shembuj frymëzues nga koleget tona në parlament, që përballen çdo ditë me luftën e kritikës së ideve. Disa prej tyre kanë pasur edhe përballje të vështirë.

Vasilika është një ndër to, ndjesë që e përmend, në këto ditë bashkë me kolegët ka pasur barrën të çojë përpara Reformën në Drejtësi. Unë e kuptoj që kjo është kthyer në çështje dite, por mbetet sfida më e madhe jo vetëm për borxhin ndaj 25 viteve, por edhe që brezat që vijnë të kenë lirinë dhe të marrin drejtësinë që meritojnë.

Ju e dini shumë mirë, shumë qytetarë janë provë e përditshme e rrëmujës dhe përdhunimit brenda sistemit të drejtësisë. Ata duan ta mbajnë peng reformën në sistemin e drejtësisë, ne duam ta çojmë para; sepse janë të lidhur nën korporatën që ka vënë nën thundër sistemin e drejtësisë.

Detyra jonë e madhe është që të bisedojmë sa më shumë me qytetarët, e t’i bindim ata se çdo vështirësi përballohet më mirë në grup dhe të bashkuar. Një ndër to, më e rëndësishme është përballja me të gjithë ata që mbajnë peng Reformën në Drejtësi. Që të bëjmë këtë duhet patjetër të fitojmë besimin e çdo qytetari, që të besojë që ka një forcë të vendosur për të bërë reformën dhe kjo është PS.

Dua të falenderoj të gjitha koleget dhe ju që keni kontribuar në këtë forum për t’i dhënë forcë besimit tonë të përbashkët. Janë një stacion i rëndësishëm në sfidën e ardhshme, zgjedhjet. Gjithçka kemi bërë sot është prova më e mirë për mundësitë dhe potencialin që kemi, për të bërë akoma më shumë në të ardhmen.

Të kemi një forum që të jetë në gjendje të përfaqësojë realisht gratë dhe vajzat në gjithë Shqipërinë. Një strukturë që brenda PS, e më pas jashtë saj, përfaqëson realisht zërin e grave dhe vajzave. Sot jeni pjesë e krenarisë së gjithçkaje kemi bërë në PS.
Urime të gjitha kandidateve dhe suksese” – përfundoi Tahiri.

Katër kandidatet për kryetare të Forumit të Gruas së Tiranës, të cilat paraqiten edhe platformën e tyre sot, janë Blerina Doracaj, Entela Hysenllari, Belioza Çoku, Jonila Gabrani.

Temat
LajmeRajon

Të afërta