Si i sheh Kosova partitë politike: PDK

Klan Kosova ka bërë një hulumtim të opinioni, që ka përfshirë të gjitha aspektet. Ka anlizuar gjendjen politike dhe sociale. Njëkohsisht, ka analizuar Partitë politike dhe liderët e saj, bazuar në përgjigjen e dhënë nga qytetarët. Për disa ditë po iu sjellim, në vazhdim, anlizën politike të partive, dhe ndoshta edhe profilin politik të liderëve. Pa i komentuar rezultatet e dala nga hulumtimi. Të cilat, dorën në zemer, janë shumë interesante.
Duket se trendi i energjive kritike në Kosovë është më i lartë sesa mundësitë e menaxhimit dhe kontrollimit të tyre. Përveç formimit të një mase të konsiderueshme kritike ndaj këtyre proceseve, elektorati kosovarë tashmë është insistues në temat që lidhen drejtëpërdrejtë me qëndrueshmërinë e brendshme të institucioneve specifikisht në ekonomi dhe në drejtësi. Po ashtu, edhe nëse elektorati kosovarë ka pasur një gjykim realist politik për situatën e përgjithëshme në Kosovë, është krejtësisht e dukshme që tranzicioni politik në Kosovë tashmë ka konsumuar pothuajse një gamë të gjerë të figurave publike.

Çështja është që tendenca e përgjithëshme elektorale nuk qëndron në favor të tyre. Nga sot do te botojmë analizat për partite politike, PDK, Vetëvendosje, LDK, AAK dhe AKR, si qëndron puna me partitë kryesore politike ndarazi, dhe qysh gjenden ato në rrethanëshmërinë aktuale politike në Kosovë, pjesa vijuese e këtij punimi i diskuton ato veç-e-veç sipas rënditjes politike.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Partia Demokratike e Kosovës shënon një dekadë në qeverisje aktive në Kosovë. Përgjatë rënieve të ngritjeve në perceptim publik gjatë kësaj periudhe, PDK qëndron publikisht në një situatë mjaft paradoksale. Duke qenë aktualisht në mandatin e tretë qeverisës, PDK mban përgjegjësinë kryesore dhe asaj i atribuuohet fatura më e lartë publike për krejtë zhvillimet (pozitive apo negative) në Kosovë.

Në këtë kuptim, opinion publik vendorë, tashmë ka arritur një masë të konsiderueshme kritike ndaj qeverisë në Kosovë në përgjithësi dhe, së këndejmi, edhe ndaj PDK-së.

Nga ana tjetër, duke qenë aktualisht në mandatin e tretë, PDK tashmë posedon kapacitete të mjaftueshme institucionale për të akomoduar kërkesat e elektoratit të saj.

Elektorati i brendshëm i PDK-së, ka dëshmuar një qëndrueshmëri të konsiderueshme, qoftë në raport me pakënaqësitë e brendshme (personalitetet me ndikim të papërmbushura në parti), qoftë në raport me fraksionet e anshme (sikurse me NISMA), qoftë në raport me kritikat dhe presionet e jashtme (nga shoqëria civile dhe partitë tjera politike).

Është – mes tjerash – kjo qëndrueshmëri strukturore (me një masë të padiskutueshme mestare prej 190.000-210.000 vota) që i garanton PDK-së vendin e parë në Kosovë. Megjithatë, përkundër të qenurit në pushtet me tre mandate, PDK nuk ka vetëstagnuar por është reformuar organizativisht dhe politikisht.

Nga aspekti organizativ, ndonëse PDK nga partitë konkurrente shihet si pengesë direkte për reformë institucionale në Kosovë, vetë PDK ka qenë relativisht e suksesshme në reformë të saj të brendshme dhe partiake.

Në përputhje me trendet e reja elektorale në Kosovë, ajo ka gjetur formula të përshtatshme për margjinalizim gradual të figurave të përfolura për korrupsion, figurave të papërgatitura por me prapavijë historike duke krijuar hapësirë për kuadro politikisht të paharxhuar dhe me pranueshmëri më të gjerë publike.

Kësisoj, ajo ka mundësuar një hapësirë të përshtatshme për profile diametralisht të kundërta. Kjo paraqet një formulë elementare në menaxhim të fuqisë elektorale të saj. Me gjasë – në bazë të dhënave të hulumtimit të fundit – PDK do të jetë pjesë e pashmangshme edhe e qeverisë të ardhshme nacionale në Kosovë. Sidoqoftë, ashtu sikurse shihet në vijim, perspektiva e saj është më e diskutueshme sesa që ajo e trajton rëndom.

Ndonëse PDK nga partitë konkurrente shihet si një formacion pa ndonjë diskurs të veçantë politik, ajo ka pasur një rrugëtim evolutiv të ideve të saj politike. Duke qenë një grupacion që në shkallë të madhe është i ndërtuar mbi trashëgiminë e UÇK-së, diskursi i saj politik ka qenë rregullisht fanatik, radikal, moralizues dhe nacionalist. Pothuajse të njejtin diskurs që PDK e ka kultivuar ndaj disa prej partive tjera politike në Kosovë (lexo: LDK-së), partitë tjera politike sot në Kosovë (lexo: VV) e kultivojnë sot ndaj vetë PDK-së.

Sidomos nga ardhja në pushtet e tutje, PDK ka shfaqur shenja serioze në përqafim të vlerave më të moderuara liberale dhe civile në Kosovë. Ndonëse në Kosovë ende nuk ekziston ndonjë mundësi realiste për aplikim të politikave të majta apo të djathta në kuptim përmbajtësor të fjalës, PDK ka shfaqur një tranzicion substancial në profilizim politik nga një grupacion me bindje radikalisht majtiste tek një parti me politika të moderuara djathtiste.

Thënë në formë të përmbledhur, sa i përket politikave madhore shtetërore, situata politike e PDK-së është e mbështetur në dy elemente kryesore:

Menaxhimi (Ndër)Kombëtar i Tranzicionit në Kosovë:

Politika zhvillimore e brendshme e PDK-së

PDK ka qenë subjekti kryesor me menaxhim të sfidave të shtetëndërtimit në Kosovë. Politika e saj nuk ka qenë krejtësisht e vetëpërcaktuar dhe autonome por – në masë të madhe – ajo ka përcjellur alternativat reale diplomatike të parashtruara prej faktorëve ndërkombëtarë.

Në këtë kuptim, ajo ka qenë bartësi kryesorë i sfidave politike dhe diplomatike me faktorët relevant ndërkombëtarë.

Përveç tjerash, ajo nuk ka qenë vetëm forca kryesore zbatuese e Planit Athisaari por njëherazi ajo ka qenë edhe përgjegjësi kryesorë për mbyllje të autoritetit të ICO dhe ‘pavarësisë të mbikëqyrur’.

Në këtë kuptim, një pjesë më e konsiderueshme e politikave të PDK është e lidhur drejtpërdrejtë me menaxhimin e tranzicionit politik në Kosovë dhe sfidave (ndër)kombëtare që derivojnë prej tij. Në këtë pikë, përkundër një sërë veprimeve jopopuliste dhe kritikave në adresë të saj, votuesi kosovar specifikisht nuk ka shfaqur ndonjë revoltë konkrete politike elektorale në këtë pikë për PDK-në.

Politika Zhvillimore e Brendshme: PDK ka qenë subjekti me përgjegjësinë kryesore në menaxhim të sektorëve të brendshëm qeveritarë në Kosovë për pothuajse një dekadë politike. Përkundër kësaj qasje afatgjatë në qeveri, PDK nuk ka pasur një profil qartësisht të artikuluar. PDK praktikisht ka qenë forca kryesore zbatuese e politikave të privatizimit në Kosovë. Po ashtu, përgjatë mandatit të saj qeverisës, PDK ka dyfishuar nivelin e pagesave në institucione publike. Megjithatë, pakënaqësia kryesore nga stagnimi ekonomik i atribuuohet poashtu PDK-së. PDK, nga ana tjetër, ka pasur një qasje indiferente në politika të shëndetësisë. Mes tjerash, hulumtimi aktual sugjeron që reforma në shëndetësi duhet të ketë prioritet urgjent dhe duhet të adresohet menjëherë.

Nëse komponenta e parë nuk është manifestuar negativisht në fuqinë elektorale të PDK-së, mekanizmi qeverisës i PDK i ka mundësuar asaj forma të ndryshme të menaxhimit dhe stabilizimit të votës.

Asocimi i PDK-së me korrupsionin endemik, krimin e organizuar dhe nepotizimin sistematik është një faktorë me ndikim të theksuar me diskreditim të konsiderueshëm elektoral të saj.

Pavarësisht tendencave për menaxhim të kësaj situate, PDK aktualisht ka edhe tre probleme të dallueshme:

Asociacioni i Komunave Serbe dhe Marrëveshjeve tjera nga Brukseli:

Pavarësisht faktit që PDK nuk është tutje udhëheqëse e qeverisë, ajo vazhdon të jetë forcë shtytëse e bisedimeve të Brukselit. Ndonëse një proces i tillë politik duket i paalternativë dhe praktikisht i pakthyeshëm, PDK jo vetëm që nuk ka arritur të bindë opinionin por madje edhe vetë një pjesë të partisë të saj rreth marrëveshjeve në fjalë. Pra, edhe pse vazhdimi i këtij procesi dhe zbatimi i elementeve përkatëse është politikë e identifikuar me PDK-në, ajo mbetet në disavatazh të plotë publik rreth këtyre çështjeve.

Gjykata Speciale: Pavarësisht faktit që PDK është forcë politike që derivon nga trashëgimia e UÇK-së, ajo ka qenë mbështetëse e procesit të formimit të ‘dhomave të specializuara’ për të hetuar krimet e pretenduara nga lufta e fundit (deri në Dhjetorë 2000) në Kosovë. Ndonëse një proces i këtillë ka qenë i paalternativë në aspekt ndërkombëtarë, PDK poashtu do të jetë formacioni që do të paguan koston më të lartë strukturore, morale dhe publike nga ky proces. Deri në këtë moment, sikurse në sfera tjera, PDK ka problem serioz në mbrojtje publike të qëndrimeve të saj dhe vazhdon ta mban një pozicion që eventualisht mund t’i kushton edhe në prospekte elektorale.

Ekonomia: Pavarësisht faktit që PDK disponon mekanizma politik për të zhvilluar një klientelë ekonomike, kjo rezulton totalisht e pamjaftueshme për të ruajtur fondin elektoral dhe reputacionin publik.

Hulumtimi aktual tregon për një kërkesë enorme për politika zhvillimore dhe punësisë shtesë. PDK – kjo aktualisht është pika e saj më e dobët – ka nevojë për sigurim të një platëforme për adresim të kësaj tematike. Në të kundërt – duke pasur paraysh edhe perceptimin e lartë për lidhëshmërinë e saj me korrupsionin – PDK do të ketë probleme serioze në të ardhmen e afërt me opinionin publik.

Në fund, përderisa elektorati i PDK-së ka pasur një mirëkuptim për menaxhimi të problemeve përkatëse, duket se ai ka filluar të shfaqë shenja serioze kritike kohëve të fundit.

Kësisoj, përveç sfidave të menjëhershme, paralelisht me ndryshimin në lidership (tranzicioni Thaci-Veseli), PDK ka nevojë të rigjejë vetën në komunikim publik dhe në platëformë më cilësore politike.

Thënë në formë të përmledhur, PDK është para problemeve në vijim:

Partneriteti Politik: PDK ende është partia më e fuqishme elektoralisht në Kosovë. Sidoqoftë, ajo nuk është në një pozicion politik konform fuqisë elektorale. PDK është partia e parë në elektoral por nuk mund të jetë partia e parë në qeverisje. Për shkak të rrethanave komplekse politike, PDK është dashur të bëjë koncensione të larta politike vetëm që të mbetet pjesë e qeverisë. Pjesërisht për shkak qasjes të lidershipit paraprak, PDK ka pasur probeleme serioze në bashkëpunim me subjektet tjera politike.

Kësisoj, ndonëse partia e parë, PDK gjendet në një situate që nuk mund të ushtron pushtetin politik në përputhje me fuqinë e saj elektorale. Rregullimi i marrëdhënieve me publikun e gjerë, zhvillimi i partneriteteve me shoqërinë civile dhe partitë politike në Kosovë, mbetet një prej sfidave ekzistuese të PDK-së në përgjithësi dhe liderit të saj të ri në veçanti.

Reforma : PDK ka aplikuar politike relativisht reformatore sa i përket kuadrove të saj të brendshëm. Ndonëse është partia me më shumë figura authoritative publike në Kosovë, ajo ka menaxhuar suksesshëm faktorizimin e fytyrave të reja publike në Kosovë.

Natyrisht, një masë e tillë është esenciale për t’iu përgjigjur edhe trendeve të reja politike, edhe gjeneratave të reja elektorale në Kosovë.

Sidoqoftë, selektimi politik i figurave të reja në PDK ka qenë shpeshëherë problematik. Çështja nuk konsiston vetëm tek profili jo krejtësisht reprezentativ i personaliteteve të caktuara, por tek fakti që ata vazhdojnë të mbetin komplet të shkëputur nga elektorati kosovar.

Përkundër që ka disa ministra, një nënkryetar dhe autoritete tjera me relevancë në dikastere qeveritare vetëm nga Prishtina, fuqia e tyre vazhdon të jetë minore në kryqytet.

Praktika e fundit me ministra dhe zv. ministra të rinjë ka mundur të sjellë një cilësi (ndonëse minore) të re në perceptim publik por efekti i saj elektoral ka qenë i pavërejtshëm. Sidomos në prag të zhvillimeve të lidhura me ‘dhomat e specilizuara’, rikonfigurimi i forcave elektorale mbetet tepër me rëndësi për PDK-në.

Në fund – bazuar në të dhënat e këtij hulumtimi – PDK ka nevojë për një transformim të imazhit të saj publik sa i përket figurave të lidhura me krim dhe korrupsion. Zëvendësimi gradual i figurave të apostrofuara për çështjet përkatëse mbetet prej sfidave kryesore të liderit të ri të PDK-së.

Duke u bazuar në perceptimin publik për performancën e saj politike dhe trendet e saj elektorale nga terreni – gjithnjë sipas hulumtimit – PDK qëndron në disavantazh politik dhe avantazh elektoral.

Ndonëse sipas të dhënave përkatëse PDK duket pjesë e pashmangshme e qeverisë të ardhshme, ajo prap nuk do ta ketë fuqinë e saj politike në përputhje me parametrat e saj elektoral.

Në të njejtën kohë, PDK ka pasur problem serioze me komunikim publik – përkatësisht, figura representative dhe të artikuluara – për të mbështetur qëndrimet e saj, edhe në raste kur ajo ka pasur të drejtë.

Kjo – në përgjithësi – e ka sjellur atë në një pozicion defanziv elektoral dhe politik. Kësisoj, duke pasur këtë hulumtim si pikë referimi, disa prej problemeve kryesore politike dhe organizative të PDK-së janë në vazhdim:

PDK – ndryshe prej partive tjera – është e vërejtshme një diskrepancë midis fuqisë elektorale dhe asaj politike. PDK dominon me votë por mbetet tepër e varur politikisht prej faktorëve tjerë politik. Përveç kësaj, ndonëse PDK është ende partia e parë elektorale në Kosovë, ajo është në rënie elektorale. Kjo tregon që klima politike në Kosovë në përgjithësi nuk është komplet në favor të PDK-së. Për më shumë, duke pasur në konsideratë që PDK është duke hyrë në ciklin e katërt qeverisës, ajo është para shumë vështërësive serioze për të rigjeneruar imazhin dhe reputacionin e saj politik.

Tek PDK –më shumë sesa tek partitë tjera – është e vërejtshme tendenca për faktorizim politik në njësi komunale ku ajo qëndron në opozitë dhe rënia relative në njësi komunale ku ajo qëndron në pozitë. Kjo – mes tjerash –tregon që PDK ka kapacitete të konsiderueshme opozitare por nuk ka vendosur ende një model politik të pranueshëm qeverisës në nivel komunal. Modeli qeverisës komunal – sikurse ai qëndror – mbetet tepër i diskutueshëm në perceptim publik.

Në fund – sipas të dhënave të këtij hulumtimi – është krejtësisht e qartë që përkundër nevojave për reforma strukturore në PDK, lideri i ri i partisë, Veseli, nuk është duke u përgjigjur me dinamikë të duhur. Në këtë kuptim, PDK, përkundër qëndrimit në vendin e parë, ka nevojë për një varg masash reformatore për ta rikuperuar reputacionin e saj publik. Kjo, ndërkaq, nuk është e nevojshme vetëm në aspekt organizativ por, mes tjerash, PDK ka nevojë urgjente për të sjellur një cilësi të re në artikulim publik politik në Kosovë.

Temat
Vend

Të afërta