Reagon Nisma për testin PISA: Mjaft e helmuat të ardhmen e fëmijëve tanë

Anëtari i kryesisë së “Nismës për Kosovën”, Bajram Hasani, ka reaguar pas rezultateve të testit PISA, rezultat i cili për Hasanin është alarmant dhe se për këtë ka fajësuar Qeverinë, MASHT-in, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe prindërit të cilët siç tha Hasani ”vetë kemi faj edhe ne prindërit që nuk kemi kërkuar më shumë”.

Ai ka kërkuar që Qeveria urgjentisht të reformojë sistemin arsimor të vendit, pasi që sipas tij ky sistem çdo ditë po vret të ardhmen e fëmijëve të Kosovës.

Ky është postimi i plotë i Hasanit në Facebook:

Nxënësit nga Kosova nga 72 vende ndër më të dobëtit në shkencë, lexim, dhe matematikë. E tmerrshme!

Kjo është alarmante. Qeveria duhet urgjentisht të reformojë sistemin arsimor të vendit.
Ky sistem po e vret çdo ditë e më shumë të ardhmen e fëmijëve tanë, duke mos u ofruar kushte që të edukohen në shkolla që ofrojnë dije dhe kompetencë si të gjitha vendet e botës.

Është mëkat që fëmijët tanë të arsimohen në një sistem të tillë. Mjaft më, na helmuat fëmijët, u vratë të ardhmen e tyre. Duhet ndërhyrje urgjente që tu krijojmë fëmijëve tanë një sistem të mirëfilltë arsimor dhe me vlera, i cili do i përgatiste fëmijët për jetë duke u dhënë dije dhe edukim cilësor.

Ky rangim është shqetësues për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe vendit tonë. E për këtë dështim faj kanë të gjithë. Faj ka qeveria, MASHT, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe kemi faj edhe ne prindërit që nuk kemi kërkuar më shumë.

Temat
Vend

Të afërta