Mot i ftohtë, kryesisht me diell, në fundjavë mot më i butë

6.12.2016 – Gjatë ditëve në vijim mbi rajonin tonë pritet të shtrihen fusha të fuqishme anticiklonike, ndërsa në lindje të rajonit pritet të kaloj një front i ftohtë, që mbi vendin tonë do të sjellë vransira kalimtare dhe rënie të përkohshme të temperaturave.

Të mërkurën dhe të enjten do të mbajë mot më i ftohtë, kryesisht me diell dhe vransira kalimtare. Në mëngjes do të ketë ngrica, e në vise të ulëta dhe lugina do të ketë kushte për mjegull, që vende-vende mund të qëndrojë edhe gjatë ditës.

Sipas parashikimeve të fundit, në fundjavë rryma më të ngrohta ajrore nga Mesdheu pritet të shtrihen mbi rajon, që pritet të sjellin mot më të butë dhe kryesisht me diell, ndërsa në vise të ulëta mbetet si mundësi formimi i mjegullës.

Ditëve të ardhshme temperaturat minimale do të zbresin në -6C deri në -3C, e ato maksimale do të luhaten nga +3C, të mërkurën, deri në +8C, të premten. Në fundjavë temperaturat maksimale do të rriten edhe mbi vlera mesatare në 9C deri 10C. Në vise të ulëta ku mjegulla mund të qëndrojë edhe gjatë ditës, temperaturat maksimale do të jenë më të ulëta.

Era do të fryejë drejtimesh të ndryshme nga verilindja dhe jugperëndimi 1-5m/s, derisa shtypja atmosferike do të rritet dukshëm mbi vlera normale.

20161206-5day_1481036821-8422421

Temat
Vend

Të afërta