Rama: Kam përshtypjen se Gjykata Kushtetuese do të sillet me vettingun si me ligjin e pronave

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në simpoziumin për luftën kundër korrupsionit, me pjesëmarrjen anëtarë të qeverisë, drejtues të institucioneve publike dhe të ambasadorëve të SHBA, Kroacisë e Rumanisë, e vuri theksin tek rëndësia e ligjit të vettingut.

Rama kritikoi Gjykatën Kushtetuese se edhe pas përgjigjes të Komisionit të Venecias për vettingu do të sillen njësoj si me ligjin e pronave, duke e bllokuar atë.

Fjala e plotë

Gjithmonë kur flitet për korrupsionin, kemi tendencë që gjithçka ta lidhim me denoncimin, me hetimin dhe me gjykimin. E patjetër kjo e bën një domosdoshmëri të hershme dhe të brendshme të shoqërisë sonë, reformën në drejtësi dhe transformimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë, nga një sistem, i cili faktikisht është kthyer në një pazar të madh ku drejtësia blihet dhe shitet, në një sistem ku garancia kushtetuese e barazisë përpara ligjit bëhet e mundur. Por lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm denoncim, hetim dhe ndëshkim, në radhë të parë është modernizim sepse nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, janë sistemet që i korruptojnë njerëzit.

Nuk është rastësi që në vendet ku sistemet janë të ndërtuara mbi institucione të qëndrueshme, korrupsioni ka më pak hapësirë, ndërsa në vendet ku institucionet nuk kanë qëndrueshmëri dhe mekanizmat e ndërveprimit mes tyre mungojnë, korrupsioni ka një hapësirë shumë më të madhe, për arsyen e thjeshtë që në fund të ditës korrupsioni është një alternativë për të marrë atë që sistemi nuk e jep dhe nuk e garanton.

Në këtë kontekst, unë jam krenar që ne kemi ndërmarrë një rrugë reformash të mëdha dhe të thella, të cilat synojnë praktikisht ndërtimin e sistemeve në çdo sektor ku alternativa e korrupsionit luftohet përmes një cilësie të re të institucioneve dhe të shërbimit që japin institucionet.

Më lejoni që të sjell disa shembuj shumë të thjeshtë. Ne trashëguam një problem shumë të rëndë në sektorin energjetik, ku përveç të tjerash kishte dhe një prezencë të kudondodhur të korrupsionit dhe nuk ishte thjesht e vetëm paligjshmëria e imponuar nga ata qytetarë që e vidhnin energjinë elektrike dhe e pranuar nga qeveria dhe nga shteti si një status quo e vazhdueshme në këtë sektor, por edhe përshkallëzimi i të keqes në marrëdhëniet mes përfaqësuesve të shtetit ose lexuesve të sahateve të qytetarëve dhe konsumatorëve, të cilët faktikisht, përmes ryshfetit blinin një faturë më të arsyeshme për ta, sesa fatura që tregonte sahati.

Sot, ne jemi në përfundim të një projekti që do të sigurojë gjurmueshmërinë e të gjithë lexuesve të sahateve në Republikën e Shqipërisë. Gjurmueshmërinë në rrugë elektronike, e cila do të bëjë të mundur që për çdo kapërcim të kohës mesatare të llogaritur të leximit të një sahati, qendra të marri një sinjalizim elektronik dhe mbas këtij sinjalizimi elektronik të hetojë arsyet e vonesës së lexuesit, në procesin e leximit të sahatit. Kjo padyshim do të shfarosë njëherë e mirë këtë farë të keqe të këtij elementi të korrupsionit në sistem.

Emërimet dhe largimet e mësuesve, ishin të lidhura padyshim me mungesën në tërësi të një sistemi të qëndrueshëm në emërimin dhe lirimin e tyre, por për shkak se sistemi ishte tërësisht i paqëndrueshëm edhe në këtë aspekt korrupsioni bënte kërdinë sepse se kush do të emërohej apo kush do të lirohej nuk e përcaktonte asnjë kriter objektiv dhe aq më pak merita, por e përcaktonte aftësia paguese në një kontakt të drejtpërdrejtë me drejtuesin e zyrës arsimore, – ne hapëm portalin “Mësues për Shqipërinë” ku rankohen të gjithë ata që pretendojnë të hyjnë në sistemin tonë arsimor, si mësues dhe rankohen përmes një testimi kombëtar që vë në provë dijet dhe aftësitë e tyre.

Ky testim nxjerr një sasi të caktuar pikësh dhe në bazë të këtyre pikëve ka një tabelë të cilës nuk i referohen vetëm drejtoritë përkatëse kur duhet të kërkojnë një mësues për një vend pune, por i referohet edhe qendra e kontrollit në Ministrinë e Arsimit, çka e bën shumë të vështirë një lidhje korruptive mes atij që dëshiron të hyjë në punë dhe drejtorisë apo drejtorit përkatës për shkak se çdo emërim është i gjurmueshëm dhe çdo kapërcim në tabelën e klasifikimit të mësuesve është i lexueshëm, çka çon menjëherë në një hetim të arsyeve të këtij kapërcimi në rast se një kapërcim i tillë vihet re. Pa dyshim, nëse sot ne kemi një mijë e disa qindra mësues të punësuar përmes këtij sistemi mund të themi me plot gojën që punësimi është bërë mbi baza merite dhe për shkak të këtij sistemi, alternativa e korrupsionit ka humbur peshën e madhe që kishte në këtë sektor.

Sigurisht që ka ende për të bërë për pjesën tjetër që ka të bëjë me kontratat e përkohshme apo me lëvizjet brenda përbrenda sistemit. Por, edhe në këtë aspekt ky element i reformës dhe ky transformim i brendshëm i sistemit na ka dhënë sukses në luftën kundër korrupsionit.

Dihet nga të gjithë që një fushë ku perceptimi i korrupsionit është shumë i lartë, jo vetëm në Shqipëri, po në përgjithësi në vendet ish komuniste është shëndetësia. Si mund ne ta ulim dhe ta minimizojmë duke e çuar drejt zhdukjes korrupsionin në shëndetësi? Përsëri përgjigja na vjen nga reformat, nga reformat e domosdoshme për të shkuar drejt autonomisë spitalore. Sot, ne kemi një sistem pa protokolle spitalore që përcaktojnë kostot e çdo shërbimi dhe të trajtimit të çdo rasti, sipas kategorive në spitalet tona. Kjo do të thotë se ka një hapësirë shumë të madhe për abuzim dhe për korrupsion, pasi nuk ka një përcaktim tërësor të kostove. Atëherë, për të shkuar tek autonomia spitalore dhe për të kaluar përfundimisht një fazë ku prokurimet bëhen të qendërzuar për nevojat e spitaleve dhe për të hapur një fazë ku vetë trupat në spitale janë autonome në administrimin e buxhetit të tyre, na duhet të ndërtojmë të gjithë bazën e protokollove të kostove. Në këtë drejtim, jemi duke ecur me shpejtësi dhe kësaj i shërbejnë edhe të gjitha masat që kemi marrë paralelisht, që nga chek-up falas që përcakton një bazë statistikore të gjendjes së përgjithshme të shëndetit të popullsisë dhe që përveç të mirës së madhe të rritjes së kapacitetit parandalues të sëmundjeve, ka edhe të mirën e madhe të furnizimit të politikbërjes me të dhëna statistikore, mbi të cilat ndërtohet pastaj i gjithë sistemi i financimit të shërbimit kombëtar shëndetësor.

Për sa i përket titujve të pronësisë, e dinë të gjithë që një nga vendet ku përballja me zyrën e shtetit është e lodhshme, rraskapitëse dhe alternativa e korrupsionit është aty për të ofruar një shërbim shumë më të shpejtë, – janë hipotekat. Por, është iluzion të mendosh se ky problem mund të zgjidhet thjesht duke denoncuar, duke hetuar, duke gjykuar njerëz që abuzojnë dhe që shkelin ligjin, sepse mund të zëvendësosh dikë me dikë tjetër, por nëse sistemi nuk është aty për të garantuar shërbimin ndaj qytetarit, korruptueshmëria mbetet në një nivel shumë të lartë, pasi të njëjtët njerëz në sisteme të ndryshme sillen në mënyra të ndryshme.

Unë e bëj shpesh këtë shembull dhe do ta përsëris dhe përpara jush. Nuk mund të përfytyrohet dot një shqiptar sado i guximshëm që jeton në Gjermani, që kur merr makinën të fillojë udhëtimin pa vendosur rripin e sigurimit. Ndërkohë që në Shqipëri deri vonë, gjermanët udhëtonin pa rrip sigurie. Pse? Sepse në sisteme të ndryshme, të njëjtët njerëz sillen në mënyra të ndryshme.

Duke u kthyer tek hipotekat, zgjidhja është dixhitalizimi i plotë i hartave të pronës dhe heqja e kontaktit të drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe atij që shërben, i cili ka edhe monopolin e zgjidhjes së problemit. Nëse do, ta zgjidh, nëse nuk do, nuk ta zgjidh dhe kur nuk do, të zvarrit deri në momentin kur t’i kupton se duhet të paguash.

Por jo vetëm kaq. Ne po ndërtojmë një sistem, i cili përfshin hipotekat, por edhe një numër të konsiderueshëm shërbimesh të tjera, ku njerëzit që presin qytetarët janë një shërbim krejt tjetër nga ata, të cilët punojnë në zyrat që prodhojnë dokumentet. Ky sistem ka filluar me disa projekte pilot, fillimisht në hipotekën e Tiranës ku ndryshimi është i jashtëzakonshëm, për shkak se ata që janë në sportel nuk kanë asgjë tjetër në dorë, përveçse të trajtojnë kërkesat e qytetarëve, në raport me ata që janë në zyrat që prodhojnë dokumentet hipotekorë.

Të njëjtën gjë, ne do të bëjmë në të 61 bashkitë, duke ndërtuar shërbime të integruara publike, ku qytetarët do të drejtohen në një sportel të vetëm, për të marrë një numër të gjerë shërbimesh, dokumentesh të nevojshme, të cilat do t’i sigurojë ky shërbim, duke ju drejtuar të gjithë shërbimeve të tjera. Pra, nuk është qytetari vetë, i cili do shkojë nga zyra në zyrë e do të mbetet peng i një sistemi që e ka korrupsionin pjesë të tij, por është vetë një shërbim shtetëror që do e bëjë këtë për qytetarin. Ky shërbim i integruar çelet së shpejti në disa bashki të Shqipërisë dhe do vazhdojë të shtrihet në gjithë bashkitë e vendit.

Mund të vazhdoja me shumë shembuj të tjerë, që tregojnë sesi përmes reformave dhe modernizimit të sistemeve, ne mund të zvogëlojmë në mënyrë të ndjeshme rolin dhe peshën e korrupsionit në marrëdhëniet e qytetarit me shtetit.

Por sidoqoftë, thënë të gjitha këto, pa një sistem drejtësie që është i drejtë, është shumë e vështirë të kemi një kapërcim epokal, siç e dëshirojnë e siç e meritojnë shqiptarët, në luftën kundër korrupsionit, në funksion të një marrëdhënieje shumë më të shëndetshme, shumë më efektive dhe patjetër, shumë më demokratike të qytetarëve me shtetin.

Të gjithë e dinë që kemi ngecur tek vetting-u i gjykatësve dhe i prokurorëve në sistemin e sotëm të drejtësisë.

Henry Kissinger thoshte një fjalë që vlen shumë për këtë komunikim: “Politikanët e korruptuar i bëjnë të pakorruptuarit të duken njëlloj të korruptuar.”

E njëjta gjë vlen për gjykatësit; Gjykatësit e korruptuar i bëjnë gjykatësit e pakorruptuar të duken njëlloj të korruptuar. E njëjta gjë vlen për prokurorët; Prokurorët e korruptuar bëjnë që edhe prokurorët e pakorruptuar të duken njëlloj të pakorruptuar.

E kjo është një arsye e madhe, pse ndershmëria dhe përpjekja për të shërbyer në mënyrë të ndershme rëndom mes politikanëve, mes prokurorëve, mes gjykatësve, mes nëpunësve të shtetit, nuk mjaftojnë për t’u perceptuar pozitivisht dhe me respekt nga njerëzit, që për shkak të të korruptuarve mendojnë që të gjithë janë njëlloj. Por kjo është edhe arsyeja, pse është kaq e rëndësishme vetting-u i gjykatësve dhe prokurorëve. Jo vetëm për të pastruar nga sistemi një numër të konsiderueshëm gjykatësish e prokurorësh, që nuk meritojnë të jenë pjesë e atij sistemi kaq të rëndësishëm për demokracinë, por dhe për të dhënë një mesazh shumë inkurajues, qoftë për gjykatësit e prokurorët e ndershëm, qoftë për qytetarët dhe për të krijuar një moment të ri, një moral të ri në këtë marrëdhënie, si një bazë për ta çuar sistemin e drejtësisë në një nivel krejt tjetër. Po ashtu për të krijuar kushtet që në dyer te drejtësisë, të gjithë të ndihen e të trajtohen si të barabartë, pavarësisht se çfarë statusi shoqëror kanë, çfarë pasurie kanë, pavarësisht si e kanë emrin, të kujt janë, nga ç’krahinë vijnë, apo në ç’politikë besojnë.

Unë dua shumë të shpresoj që pas pak ditësh, kur Komisioni i Venecias do të japë opinionin e tij përfundimtar lidhur me ligjin, ne nuk do të ndeshemi me rezistencën e Gjykatës Kushtetuese ndaj opinionit. Personalisht mund të jem i gabuar, por nuk kam asnjë arsye të dyshoj që opinioni i Venecias do të mbështesë plotësisht ligjin, pasi është një ligj i ndërtuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që është mbështetur plotësisht nga Komisioni i Venecias.

Por kam arsye të dyshoj që Gjykata Kushtetuese do të sillet me opinionin ashtu siç të gjithë dëshirojmë, sepse e kemi një shenjë të parë, jo shumë inkurajuese, të sjelljes së Gjykatës Kushtetuese me opinionin e Komisionit të Venecias për ligjin e pronave. Gjykata Kushtetuese ka bërë në ligjin e pronave një ndërhyrje që bie ndesh me opinionin e Komisionit të Venecias, të cilin e ka kërkuar po vetë, si një opinion që nuk është detyrues, por që në botën e qytetëruar, kur kërkohet, konsiderohet i pakundërshtueshëm në bazë të një marrëveshje të pashkruar të shteteve me vetveten, me kushtetuat e tyre, me qytetarët e tyre dhe me vetë Komisionin e Venecias.

Më lejoni t’ju them edhe se kemi qenë shumë të inkurajuar nga barometri i fundit antikorrupsion i Transparency Internacional, ku Shqipëria është renditur me kuota shumë të larta për vullnetin e qeverisë për të luftuar korrupsionin. Nuk është gjithçka, por patjetër që është shumë, në kushtet kur perceptimi që përpiqet papushim të krijojë një segment i zëshëm i shoqërisë, që nga disa parti politike tek disa media, është se këtu po bëhet nami i zi dhe këtu korrupsioni është ulur këmbëkryq dhe sundon mbi fatet e mbi fatin tonë të përbashkët.

Kjo nuk është e vërtetë dhe ajo çka është më e rëndësishmja në këtë barometër, ku Shqipëria renditet shumë më mirë në vullnetin për të luftuar korrupsionin sesa jo pak vende të vetë Bashkimit Europian, është se ky barometër është ndërtuar, është vënë në funksion nga një organizatë me një reputacion të madh botëror dhe duke marrë në konsideratë edhe opinionin tonë publik, pra, duke iu referuar një shumice të heshtur, e cila nuk ka mundësinë të jetë në foltoren e parlamentit, nuk ka mundësi të jetë në tribunat e partive, apo në krye të shtëpive apo të dhomave dixhitale që prodhojnë lajme dhe dezinformim, por që e ndjen dhe e kupton se realisht në Shqipëri, sot ka një vullnet pozitiv për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit tonë të përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror, duke reformuar vendin, edhe në funksion të një lufte strategjike dhe afatgjatë kundër korrupsionit.

Asnjëherë mos e harrojmë, njerëzit nuk kanë fuqi të korruptojnë sisteme moderne, të ngritura mbi institucione të qëndrueshme. Ndërkohë që sistemet e prapambetura dhe institucionet e dobëta dhe të paqëndrueshme kanë fuqi të korruptojnë thuajse këdo që fusin nën çatinë e tyre. E për këtë arsye, ne besojmë shumë tek modernizimi, unë besoj shumë tek modernizimi, si përgjigja afatgjatë në një luftë që është pafund dhe që nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë kurrë as në vendet më të zhvilluara. Por, patjetër, dallimin e bën qytetari dhe cilësia me të cilën i shërbehet qytetarit. Në këtë aspekt, cilësia me të cilën i shërbehet qytetarit në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian, të cilave ne duhet t’u ngjajmë, nuk ka ende asgjë të krahasuar me cilësinë me të cilën i shërbehet qytetarit në vendin tonë dhe këtu mbetet ende jashtëzakonisht shumë për të bërë.

Temat
Rajon

Të afërta