BMW X6 që e mori Policia e Kosovës ishte e vjedhur në Itali

Vetura “BMW X6” e cila i kaloi në pronësi të Policisë së Kosovës ishte vjedhur më herët në itali.
“BMW X6” që iu dha Policisë së Kosovës nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar i ishte vjedhur më herët një shtetasi italian.

Pronar i kësaj makine luksoze ishte një italian që vjedhjen e kishte raportuar në shtetin e tij, ndërsa “BMW X6” nga Italia kishte përfunduar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com gjyqtari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi që kishte marrë vendim për lëndën e kësaj vetureje më 19 janar të vitit 2015.

“Vetura është raportuar e vjedhur në Itali nga pronari i saj, shtetas italian. Vetura (BMW X6) ose është vjedhur në shtetin e Italisë, ose shtetin serb, nuk është saktësuar kjo, mirëpo ka përfunduar në Mitrovicën Veriore,” tha Radoniqi për KALLXO.com

Sipas tij, dy persona me pas ia kishin besuar veturën personit me inicialet A.O., i cili është dënuar për veprën penale pranim i mallrave të vjedhur.

“Lënda me numër P.Nr. 984/13 e datës 19.01.2015 për veprën penale pranim i mallrave të vjedhura nga neni 354/3 të KPK-së, është zgjidhur me pranim fajësie. Është dënuar(A.O) me kusht me një vit për dy vjet,” sqaroi Radoniqi.

Ai shpjegon për KALLXO.com se sipas këtij gjykimi vetura e vjedhur nuk ka i ka pasur çelësat, mirëpo e njëjta është konfiskuar.

Sipas gjyqtarit Radoniqi, gjykata kishte marrë vendim që kjo veturë të mos shitej derisa pronari të ketë sigurim për të.

“Derisa ka pasur të drejtë mbi të pronari që iu ka vjedhur vetura është marrë vendim të mos shitet,” tregon Radoniqi

Pastaj, Radoniqi bëri të ditur se vetura e konfiskuar i është dhënë në administrim Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar.

Më 24 nëntor KALLXO.com shkroi së kjo veturë luksoze “BMW X6” do jetë në dispozicionin e Policisë së Kosovës, madje pa paguar asnjë cent, sepse Ministria e Drejtësisë ka shpenzuar 1 mijë euro për servisimin e saj.

Temat
Vend

Të afërta