Rrëfimi i 21-vjeçarit të lindur me HIV-AIDS: Nuk dua të më mëshirojnë… (Intervista)

Ka mësuar të jetojë me këtë sëmundje vetëm kur ishte 10 vjeç. Ndonëse kishte lindur i infektuar, 21-vjeçari me Hiv AIDS, e ka mësuar shumë vonë problemin e jetës së tij. Kurioziteti për të mësuar përse merrrte medikamende në mënyrë periodike, ka detyruar prindërit që në moshën 10-vjeçare ti rrëfejnë atij problemin me të cilin do të duhej të mësohej përjetë.

Nuk ka shumë dëshirë të flasë për atë moment e as për shumë detaje të tjera por tregon se është mësuar të jetojë me këtë problem bashkë me gjtihë problematikën që gjen në shoqëri. Një rrëfim i kursyer i 21-vjeçarit të infektuar me HIV AIDS (nën kujdesin e Olimbi Hoxhaj, Drejktore e Ekzekutive e Shoqatës së Personave që jetojnë me HIV-AIDS) vjen në një intervistë të dhënë për 27.al.

Sa vite keni i infektuar? Si e zbuluat dhe si e përjetuat?

Që nga lindja, pra plot 21 vjet. Zbulimi dhe njohja me këtë të vërtetë ndodhi kur isha vetëm 10 vjeç në kureshtje e sipër për medikamentet që po më jepnin për të pirë. Një kureshtje fëmije, më shumë naive që përfundoi në një shndërrim emocional dhe në një ndjesi të çuditshme që sot e kësaj dite ka ngelur si një pikënisje e re për jetën time.

E diskutoni me njerëzit këtë problem tuajin shëndetësor?

Përveç njerëzve që e marrin vesh në rrugë dytësore, unë këtë anë të jetës time e ndaj dhe e diskutoj vetëm me njerëz që kanë një lloj vlere të caktuar për mua.

Si reagojnë njerëzit kur e marin vesh… Ju largojnë, ju afrojnë, ndiejnë keqardhje?

Të them të drejtën kjo nuk dihet kurrë. Çdokush ka përjetimin e tij dhe vjen një moment që nuk ka më rëndësi kjo pjesë, por rëndësi për mua ka vetëm mos-arritja ose shfaqja e mishërimit nga ana e individëve të njohur dhe të panjohur në përditshmërinë time. Unë dhe askush nuk e meritojmë mëshirimin, ndoshta vetem duhet të dëgjojnë dhe të kuptojnë sadopak nga ato që shpreh, flas dhe ndaj me të tjerët si përvoja.

Po me familjarët cfarë marrëdhënie keni. …Me kë jeni më i lidhur?

Një familje me probleme dhe lidhje të forta emocionale dhe harmonie siç është jeta dhe përditshmëria. Nuk lidhem mbas personave të caktuar, lidhem mbas momenteve të caktuara, me persona të ndryshëm.

Keni shumë miq?

Platoni thoshte që ata që thonë të vërtetën janë më të urryerit , keshtu që në rastin tim vlen fjala ‘”pak dhe saktë”.

Ke ndonjë mik tjetër të infektuar… Diskutoni me të për problemet shëndetësore që mund t’ju shfaqen?

Siç e thashë dhe më sipër për këtë problematikë nuk ke se për çfarë të flasësh , veçse për historikun ose për përjetimin e parë. Ndodh, dhe pastaj jeton ”normalisht” me një problem që fle gjumë brenda teje. Gjithsesi nuk njoh njerëz të afërt që të jenë të infektuar.

Je i dashuruar apo ke qënë ndonjëherë i/e dashuruar? Nëse po, me trego pak për marrëdhënien që kishit/keni?

Nuk jam eskapist që të merrem me të kaluarën, por që për momentin kam fituar lirinë e të njohurit të vetvetes në rradhë të parë e me pas të personit të jetës. Ndonëse problemi fle tek unë ashtu siç e vunë në gjumë brenda mendjes së tyre dhe ish-të dashurat e mia, një shije e çuditshme ndihet midis dy personave, pra ti mund të bësh gjithçka si një njeri normal por në mendjen e tyre ti ke diçka nga e cila sipas mendjelehtesisë së tyre nuk do shkëputesh kurrë.

Çfarë do bëjë ndryshe në jetën tënde nëse mund ta ktheje kohën pas?

Absolutisht asgjë, çdo gjë ka ndodhur që unë të mesoj se kush jam dhe se kush më rrethon, me këtë që kam apo pa këtë që kam.

Temat
Shëndet

Të afërta