Reagimet greke: Shqipëria nuk do ndryshime kufijsh

Intervista e Kryeministrit shqiptar tek emisioni i gazetarit të njohur grek, Aleksis Papahelas në televizionin “Skai”, është ndjekur nga më shumë se 130 mijë shikues duke tejkaluar shifrën mesatare të shikueshmërise së kanalit, ndërsa klikimet në faqen elektronike të tij janë më shumë se 500 mijë.

Reagimet e para për intervistën vijnë nga Demokracia e Re. Partia opozitare në vend, konkretisht, Giorgos Koymoutsakos, përgjegjës për politikën e jashtme, ai ka kërkuar thirrjen e menjëhershme të Këshillit për Politikën e Jashtme, ndërsa zv.kryetari i konservatorëve, Adonis Gjeorgjiadhis ka komentuar se “Rama me mirësi në dukje ka ngritur çështje shumë serioze dhe të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe”. Nga ana e shtypit grek, në kontrast me komentet negative gjatë javëve të fundit, vihet re kësaj here një përmbajtje në mënyrën e pasqyrimit dhe shumica e mediave veçojnë faktin që Rama garanton në radhë të parë se Shqipëria nuk po ndjek një politikë të ndryshimit të kufijve.

Kathimerini thekson se Rama hedh poshtë zërat se po bën një politikë irredeniste. Gazeta Ethnos, që disa ditë më parë shigjetonte buldozerët e Ramës në Himarë, zgjedh dhe thekson edhe ajo pohimin e tij se Qeveria shqiptare nuk ka strategji për ndryshimin e kufijve, apo për një Shqipëri të Madhe. Pa asnjë koment gazeta “To Vima” publikon të plotë intervistën duke zgjedhur titullin:”Ideja e Shqipërisë Natyrale, rrjedh nga disa që kanë frikë”. Edhe pro konservatorja “Eleftheros Typos”, që në artikullin e fundit të saj shprehte shqetësimet për deklaratat e Erdoganit për kufijtë dhe Edi Ramën e cilësonte si satelit të tij, nuk ka asnjë koment, por mjaftohet me titullin e artikullit “Janë marrëzi ato që thuhen për Shqipërinë e Madhe. Nuk kemi ambicie kundër Greqisë”.

Nuk mungojnë edhe ironitë në faqet e portalit të gazetës “Protothema”, që zgjedh si titull- “Nuk kemi synime irredentise ,por le të shkojmë një shëtitje në Çamëri”, ndërsa thekson se Rama pas Çamërisë, hapi edhe çështjen e Jonit. Me pozitiv është titulli që zgjedh agjencia shtetërore e lajmeve për të ardhmen dhe bashkëpunimin, ndërsa në qarqet gazetareske që nuk janë dakort me shumicën e atyre që tha kreu i ekzekutivit shqiptar, mbizotëron opinioni se ai përdori një gjuhë të kulturuar dhe mënyrë diplomatike për të ngritur çështje të rëndësishme dypalëshe që vite më parë ishin tabu.

1479910385okokok_1479913841-7374574

Temat
Rajon

Të afërta