Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 11 persona për “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” si dhe ka identifikuar 36 fëmijë lëmoshëkërkues, si pjesë e planit operativ “Identifikimi i fëmijëve lëmoshëkërkues, si viktima të trafikimit”.
Ky plan operativ është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, dhe përfshin periudhën kohore nga data 14.11.2016 deri me datën 18.11.2016.
Fëmijët e identifikuar janë kryesisht nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, ku prej tyre 23 janë shtetas kosovarë dhe 13 shtetas shqiptarë.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë:
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore përmes njësiteve të saja relevante ka realizuar planin operativ ‘Identifikimi i fëmijëve lëmoshëkërkues, si viktima të trafikimit’, me ç’rast janë arrestuar njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar, për kryerjen e veprës penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’, si dhe janë identifikuar tridhjetë e gjashtë (36) fëmijë lëmoshëkërkues.
Plani operativ është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, i cili përfshinë periudhën kohore nga data 14.11.2016 deri me datën 18.11.2016. Në këtë plan operacional përveç Policisë së Kosovës kanë qenë të përfshirë edhe prokuroritë në rajonet përkatëse, qendra për punë sociale, drejtoria për migrim dhe të huaj, si dhe njësitë tjera relevante policore.
Fëmijët e identifikuar janë kryesisht nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, ku prej tyre 23 Shtetas Kosovar dhe 13 Shtetas Shqiptar.
Shtetasit e huaj nga Shqipëria i janë dorëzuar njësisë përkatëse pranë Drejtorisë për Migrimi dhe te Huaj që të vazhdojnë me veprime bazuar në Ligjin për te huaj, ndërsa për shtetasit Kosovar ,ne konsultim me Prokurorit përkatëse , janë iniciuar 12 raste “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” sipas nenit 250 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë dorëzuar Kallëzime penale kundër prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues në procedurë të rregullt.
Vlen të potencohet së një nga rastet “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” , neni 250 është përcjellë edhe me një raport plotësues të kallëzimit penal -RECIDIVISTE.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e planeve operacionale të kësaj natyre, pasi ka raste të përsëritjes dhe paraqitjes së lëmoshkërkuesve në qytete të Kosovës.