PS përjashton PD nga hapja e dosjeve, Spaho: Doni të kapni drejtësinë

Partia Demokratike ka denoncuar sot qeverinë duke e akuzuar se ka përjashtuar opozitën nga Komisioni Përgjegjës për hapjen e dosjeve të diktaturës, duke bërë kështu të njëanshëm këtë proces.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD Edmond Spaho, akuzoi sot qeverinë se ka shkelur marrëveshjen e arritur mes dy palëve, për të pasur secili krah politik nga një përfaqësues në Komisionin e posaçëm që do të ngrihet për hapjen dhe verifikimin e dosjeve.

“Për dy kandidaturat e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, të cilat do të propozohen nga Kuvendi i Shqipërisë kam kontaktuar me Taulant Balla dhe u ra dakort të sigurohet përfaqësimi i të dy krahëve të spektrit politik të Kuvendit, pra nga të dy kandidaturat një të propozohet nga mazhoranca dhe një të propozohet nga opozita. Çuditërisht ditët e fundit mësova që mazhoranca ka paraqitur dy kandidatura për Autoritetin e Hapjes së Dosjeve dhe synon që me mekanizmin e votës që disponon edhe në Komisionin e Ligjeve, por edhe në seancë plenare, t’i kalojë të dy kandidaturat. Autoriteti do të përbëhet nga tre përfaqësues të mazhorancës, ai i kryeministrisë dhe dy kandidatura të Kuvendit, dhe një përfaqësues i shoqërisë civile dhe një përfaqësues i shoqatave të përndjekurve politikë.” bëri të ditur Spaho

Sipas deputetit të selisë blu, qeveria po kërkon të përjashtojë nga procesi opozitën, dhe në këtë mënyrë të vendosë vetë për prokurorët dhe gjykatësit që do të jenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.

“Pra, opozita është përjashtuar tërësisht nga këto dy procese. Për rrjedhojë me hapin e radhës të ndërmarë nga Edi Rama, hapjen e dosjeve do ta kryejë mazhoranca, derivatet e Partisë së Punës të cilët i kemi në këtë mazhorancë, dhe për më tepër, verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për sistemin e ri të drejtësisë, gjithashtu do ta bëjnë derivatet e Partisë së Punës duke përjashtuar tërësisht opozitën.” tha ai

I pyetur se cilat do të jenë hapat e radhës që do të ndërmarrë opozita për këtë çështje, deputeti shtoi se janë njoftuar partnerët ndërkombëtarë.

Temat
Rajon

Të afërta