Liderja e të gjelbërve të Maqedonisë heq dorë nga pozita fituese në listën e deputetëve

Kryetarja e partisë maqedonase të të gjelbërve – Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë (RDM) Liljana Popovska sot kumtoi se do të heqë dorë nga pozita në listën e deputetëve të koalicionit opozitar të kryesuar nga LSDM-ja.

Popovska, e cila u gjet në pozitën e katërt në njësinë e dytë zgjedhore të koalicionit, që sipas të gjitha parametrave është pozitë që siguron vend në Parlament, me anë të një kumtese elaboroi se nuk dëshiron funksion me çdo çmim, dhe as, siç thekson, të shërbejë për të mbejllur farën e përçarjes në opozitën demokratike.

“Që sot do t’i propozoj Këshillit zgjedhor, ndërsa më pas edhe Këshillit qendror të RDM-së për ta pranuar vendimin tim dhe elaborimin tim. Për këtë gjithsesi do ta njoftojmë LSDM-në si partner të koalicionit. RDM ka kuadro të shkëlqyer dhe jam e sigurt se në këtë vend do të hyjë një person i cili në mënyrë konsekuente do të luftojë për parimet demokratike”, thekson në kumtesë Popovska dhe shton se bën thirrje që të njëjtën gjë ta bëjnë anëtarët dhe simpatizantët e RDM-së.

Sipas Popovoskas, tani, para zgjedhjeve parlamentare është koha për unitet dhe për përkushtim të sinqertë në luftën për demokratizim të vendit.

Temat
Rajon

Të afërta