Thaçi: Suksesi i FSK’së në Angli tregon se jemi afër themelimit të ushtrisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim pjesëtarët e FSK-së që garuan në “Cambrian Patrol” të Britanisë së Madhe. Thaçi tha se suksesi i pjesëtarëve të FSK-së në garën, ku morën medaljen e artë ,është edhe sukses i FSK-së dhe me rezultate të tilla jemi më afër krijimit të ushtrisë dhe anëtarësimit në Partneritetin për Paqe dhe në NATO.
“Ky sukses është dëshmi e forcimit të FSK-së. Me këtë sukses ju keni renditur Kosovën përkrah ushtrive më të fuqishme”, u shpreh presidenti Thaçi.

Menaxherja e skuadrës, togere Manushaqe Nura, e cila kishte koordinuar përgatitjet e grupit tha se në garën “Cambrian Patrol”, përveç marrjes së medaljes së artë, kanë arritur t’i thyejnë edhe paragjykimet se kadetët e FSK-së vetëm individualisht mund të korrin suksese, duke u dëshmuar kështu të suksesshëm edhe në grup.

Kurse, komandanti i skuadrës, nëntoger Ismail Hoxha, i cili ishte dekoruar edhe me shpatën për oficer-kadetin më të mirë ndërkombëtar nga vetë princi Charles, tha se kanë pasur vullnet të pathyeshëm për ta fituar ketë garë dhe e kanë fituar.

Suksesi i skuadrës së FSK-së në Britani të Madhe, sipas komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i ka hapur rrugë edhe projekteve të reja që kanë për qëllim trajnimin dhe përgatitjen profesionale të kadetëve të FSK-së.

Temat
Vend

Të afërta